Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ishte në Selicë, një nga fshatrat më të thellë të Burrelit, ku prej 25 vitesh nuk kishte shkelur asnjë ministër.
Xhaçka takoi banorët e kësaj zone të thellë, të cilët problem kryesor kanë rrugën që i lidh me pjesën tjetër të vendit.
Pikërisht kjo ishte edhe arsyeja e vizitës së ministres së Mbrojtjes në këtë fshat, ku Forcat e Armatosura kanë nisur hapjen e rrugës, e cila do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e banorëve.
Punimet për hapjen e rrugës, e cila ka një gjatësi prej rreth 4 km, pritet të përfundojnë brenda pak javësh.
Gjithashtu, në fshatin Selicë, Forcat e Armatosura po punojnë edhe për pastrimin e një tuneli me municione luftarake të rrezikshme, shpërthimi i të cilit i mori jetën 23 personave në vitin 1997.