Elina Bregaj, rreth 35-vjeç, nënë e dy fëmijëve, e cila prej mëngjesit të sotëm kërcënonte se do të hidhej nga oxhaku i TEC-it, ka zbritur pas nëntë orësh. Mësohet se gjendja e saj shëndetësore është e mirë, ndërsa kanë qenë zjarrfikësit ata që bënë të mundur që Bregaj të zbriste.
Shkak për aktin u bë kalimi i saj në trurnin e tretë te pastrimi, propozim i cili nuk është pranuar nga 35-vjeçarja shkruan Shqiptarja. Ndërkohë, bashkëshorti i Elinës tha se familja e tyre jeton në kushte të vështira ekonomike dhe paga e Elinës ishte e vetmja e ardhur me të cilën ata mbajnë familjen.
Flet për mediat burri i gruas që kërcënoi të hidhej nga lartësitë:
Çfarë problemi keni?
-I thanë për punë dhe e gënjyen, duan ta heqin nga ditë që është ta fusin natën në punë. Unë jam i sëmurë me raport dhe tani ata kërkojnë që çojnë natën te fshesa.
Ku punonte?
-Punonte tek ajo e bashkisë, tek pastrimi dhe tani filluan të talleshin, e ka ky fajin-tregon me gisht nga bashkia.
Duan ta heqin nga puna?
-E hoqën nga puna, i tha ika dhe e detyruan të hypte nusja ime aty.
Sa ka që ka ikur nga puna?
-Ka ikur dy herë nga puna , e hoqi dhe njëhrë para dy muajsh, e ka hequr tani në mëngjes nga puna.
Pse e hoqën nga puna?
-Kot se duan ta kalojnë natën, unë jam me fëmijë të vegjël, unë jam i sëmurë me raport.
Po fëmijët ku janë?
-Njëri në shkollë dhe tjetri në çerdhe.
Nuk janë në jetimore?
-Jo, në jetimori ishin ata , ka ndodhur dhe njëherë tjetër problemi im, këta kështu e kanë, këta të Kuçovës janë të korruptuar si të bashkisë dhe këto të policisë.
Po ju merrni ndihmë nga shteti që jeni i sëmurë?
-Jo vetëm 100 mijë lekë të vjetra marr.
Të ardhurat janë vetëm të gruas që punon me pastrimin?
-Po, edhe atë e hoqën nga puna, e hoqën i morën çelësat, tani i thonë hajde se je.
Në lidhje me ngjarjen u vu në alarm dhe firma sipërmarrëse e pastrimit të qytetit, e kontraktuar nga bashkia, ku punon nëna e dy fëmijëve. Përfaqësuesi i firmës së pastrimit shprehet se gruaja ishte punësuar një vit e gjysmë më parë me ndërmjetësimin e bashkisë, pasi vinte nga familje me probleme sociale.
“Zonja Elona Bregu, dje e ka thirrur përgjegjësi i repartit dhe i ka komunikuar se për nevoja të momentit i ka kërkuar lëvizje nga një front i punës në një tjetër. Zonja nuk ka pranuar dhe i kemi thënë që: të nesërmen do punosh këtu për një javë apo dy dhe do të kthehej sërish aty ku ka qenë.”, tha Vasillaq Golemi Pronar i firmës së pastrimit.
Problemet sociale të familjes Bregu nuk janë të panjohura dhe për Zyrën e Shërbimit Social në Bashkinë e Kuçovës. Drejtor i këtij shërbimi bën me dije se katër vite më parë gruaja është detyruar të braktis fëmijët si pasojë e probleme ekonomike dhe nga sëmundja e bashkëshortit.
Problemet social – ekonomike në qytetin e Kuçovës janë reflektuar ndjeshëm tek banorët e qytetit naftëtar, ku vetëm brenda një jave janë regjistruar dy kërcënimi për hedhjen nga lartësia.