Një ditë më parë presidenti amerikan dha një deklaratë të fortë kundër programit të Lotarisë Amerikane DV Lottery. Trump ka kërkuar anulimin e programit me pretendimin se ka sjellë terroristë në SHBA. “Terroristët vijnë në vendin tonë nga e ashtuquajtura “Diversity Visa Lottery Program”, shkruan Trump.
Ndërkohë mësohet se në Kongres ka mbërritur nisma konkrete për rishikimin e programit. Anulimi i Lotarisë kundërshtohet nga demokratët që krijuan programin por ata janë pakicë në Kongres dhe Senat.
Tashmë mbetet vetëm të presim se si do të vendosë legjislativi amerikan lidhur me programin në fjalë që nëse do të anulohej do të vriste shpresën e miliona njerëzve, përfshirë edhe shumë shqiptarëve.
Detajet e dhëna nga gazetarja e VOA:
Gazetarja e Zërit të Amerikës, duke u nisur nga interesi i madh që ka kjo çështje në Shqipëri ka bërë disa sqarime në një lidhje telefonike në News24.
Nëse ky propozim i prek aplikuesit e këtij viti të lotarisë amerikane, gazetarja tha se nuk e beson, gjithsesi duhet pritur shqyrtimi nga Kongresi.
“Propozimi i presidentit Trump është pjesë e reformës së emigracionit. Nuk është një propozim i veçantë ka qenë pjesë e kësaj pakete që përfshinte eliminimin e programit të lotarisë amerikane”, tha Kostreci, raporton “BalkanWeb”.
Pritet që vendimi të prekë edhe procesin që është aktualisht, aplikuesit e këtij viti?
Nuk e besoj, por nuk mund ta di me siguri. Po ta shikosh nga kohëzgjatja që ka marrë diskutimi i kësaj pakete është dorëzuar në senat në shkurt dhe po shqyrtohet sot. Kjo nuk është një veprim i nxituar, por pjesë e një pakete të madhe të reformës së emigracionit dhe reformat duan kohë të shqyrtohen nga ana e Kongresit dhe pastaj kalojnë nga Shtëpia e Bardhë. Është tek pjesa e Kongresit dhe është pjesë e paketës së madhe të emigracionit.
Lotaria amerikane shihet si një nga mënyrat e vetme për të hyrë në SHBA, do ishte ndryshim i madh..
Nuk bëhet fjalë për hyrjen apo për mënyrat ose rrugët që kanë emigrantët për t’u bërë banorë të përhershëm të SHBA-ve. Kjo ishte një nga mënyrat, lidhjet familjare janë tjetër, vizat e punës. Presidenti Trump e tha edhe dje ajo që ai është një parim i meritës jo një lotari e rastësishme që gjithkush mund ta fitojë. Diçka e ngjashme me sistemin e Kanadasë. Është e vërtetë që sot për sot lotaria amerikane është një nga mënyrat e pakta që kanë emigrantët si vende nga Shqipëria të bëhen banorë të përhershëm të SHBA-ve.
A pritet një ndryshim i sistemit që njerëzit të vijnë për të jetuar në SHBA dhe si po e përcjell opinioni publik gjithë këtë?
Siç e thashë në qoftë se propozimi ose ajo që do presidenti realizohet do ishte një sistem i bazuar tek merita, si i Kanadasë. Për sa i përket opinionit publik nuk është një termë që ka jehonë shumë të madhe.
/a.m.