Në seancën e kësaj të enjte në Kuvend po diskutohet edhe projektligji për miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2016. Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka hedhur akuza të forta mbi qeverinë Rama, duke e bërë përgjegjëse për situatën e rëndë të krijuar nga droga në Shqipëri. Basha deklaroi se Shqipëria sot është prodhuesi më i madh i drogës në Evropë dhe vendi më i varfër njëkohësisht.
“Aty ku ka korrupsion dhe krim, aty ku kultivohet droga, është e kotë të mbahet interpelancë për karotat e Divjakës. Vendet që kanë rënë nën pushtetin e drogës janë zhytur në varfëri dhe mjerim. Nuk mund të ofrohet droga si alternative ekonomike. Droga dhe varfëria janë vëllezër siamezë”
Kryetari i PD, deklaroi se për dy vite rresht, Shqipëria nuk ka asnjë investim të huaj. Basha u shpreh sot se Shqipëria dhe Afganistani janë sot dy vendet që furnizojnë Europën me drogë, njëra me kanabis e tjetra me heroinë.
“Për dy vite rresht, Shqipëria nuk ka asnjë investim të huaj. Kjo na bën të vetmin vend në botë me këtë bilanc të zi. E vetmja konkurencë në Shqipëri, është konkurenca e bandave. Shqipëria po hyn në historinë e krimit botëror. Kemi dy rastet, talebanët me heroinën në Afganistan, dhe Edi Rama me heroinën. Rama erdhi në pushtet si rilindas dhe po ikën si taleban”, deklaroi Basha.
Basha tha se “në sallën e Kuvendit vijnë vërdallë hijet e krimit, të Habilajve, të Balilajve, të Shullazit, e të tjerë”.
“Në këtë sallë vijnë vërdallë hijet e krimit, të Habilajve, të Balilajve, të Shullazit, e të tjerë. Ka dhjetëra kryetarë bashkish të përfshirë në trafikun e drogës. Krimi i prek të gjithë. Nuk ekziston në vakum. I prek të gjithë, qytetarët, njerëzit e thjeshtë”, u shpreh Basha.
javanews/a.ç