Analisti politik, njëkohësisht drejtori i Konica.al, Shpëtim Nazarko, i ftuar në emisionin Argument të gazetarit Enio Civici në television SCAN, ka argumentuar hipotezat që mund të kenë shtyrë ish-kreun e SHISH, Visho Ajazi Lika që të japë dorëheqjen.
Duke argumentuar kanabizimin në vend, ku në këtë çështje është përfshirë edhe ish-ministri Tahiri, analisti Nazarko shprehet se kjo nuk është përgjegjësi vetëm e policisë. Sipas tij, një zonë malore nuk mund të ruhet vetëm nga një polic.
Edhe strukturat e SHISH-it kanë përgjegjësinë e tyre në kanabizimin e parcelave në vend.
Nazarko shton se një nga mundësitë që Ajazi mund të ketë dhënë dorëheqjen është mungesa e informacioneve për kanabisin drejt kryeministrisë.
Ky fakt u pohua nga vetë kryeministri Rama në një emision, ku tha se SHISH nuk ka dorëzuar asnjë raport për kanabisin tek ai.
Dihet se SHISH varet drejtpërdrejt nga kryeministri dhe mungesa e informacioneve mund të jetë një nga shkaqet e dorëheqjes.
Duke u ndalur tek procesi i Vetting-ut, Nazarko tha se kjo është ‘thika’ e Reformës së Drejtësisë.
Ai shtoi se edhe pse jemi mësuar që ligjet prekin vetëm qytetarët e thjeshtë, kësaj here, me monitorimin dhe zbatimin e ndërkombëtarëve, do të jetë ndryshe.
Bashkimi Evropian ka ndarë fonde të posaçme për Vetting-un dhe do të zbatojmë këtë proces.
Nazarko shprehet se me monitorimin e ndërkombëtarëve, Vetting-u, do të jetë një thikë që do të zbatohet ngadalë, por do të jetë efikase dhe e pamëshirshme për këdo. Ai thekson se rolin kryesor në zbatimin e Vetting-ut e ka qeveria qendrore.
Pjesë e zbardhur nga intervista:
VETTING-U
Unë jam tifoz i Balzakut, që thotë se në fund ligji dhe morali varen nga klima dhe nga vendi.
Ligjet zbatohen kur ka një qeverisje të fortë, por kur ka një qeverisje të dobët, atëherë një ligj i mirë mund të deformohet dhe të kthehet në të kundërtën e vet, siç thoshte Balzaku.
Në jemi një shoqëri gjysëm feudale. Ne themi tranzicion, por në fakt jemi mbeturina të një shoqërie feudale, që ka krijuar një pasuri të ngatërruar në këto 27 vite.
Si do zbatohet dhe në kokën e kujt do të bjerë Vetting-u? Ne jemi mësuar që zbatimi i ligjit zë atë që është në opozitë apo një qytetar të thjeshtë. Karakteristikë kjo e qeverive të dobëta.
Por kësaj radhe nuk do të jetë si ato aksionet e komunizmit. Këta duhet të kenë vepra më konkrete dhe jo fjalime.
Unë besoj se kësaj radhe veprimet do t’i bëjnë të huajt. BE ka ndarë një fond të posaçëm për gjyqtarët, pra do të ndihmojë me fondet. Edhe amerikanët do të veprojnë ndryshe. Ata krijojnë themele të qarta që veprojnë ngadalë, por është efikase dhe e pamëshirshme.
Kjo ka një favor, sepse SHBA mund t’i tiganisë vendet e Ballkanit. Por procese të tilla varen nga qeverisja qendrore, sa më ekonomi të mirë ke, aq më pak korrupsion do ketë.
Kjo klasë politike ka penguar procesin e Vetting-ut, edhe pse ky është një nga kushtet për procesin e anëtarësimit në BE. Në vendet si puna jonë, ndërkombëtarët kanë suksese.
Vetting-u është thika e Reformës në Drejtësi. Normalisht që Reforma e Drejtësisë ‘pjell’ Vetting-un, por ne po shikojmë vetëm këtë të fundit. Një shtet i organizuar do të bëntë një reformë të mirëfilltë në drejtësi.
Në Shqipërisë, ligjet nuk kanë munguar. Evropa ka treguar se duhet treguar thika, pra Vetting-u.
SHISH-i
Hipotezat janë të shumta, por ditët e fundit ka qenë çështja më e nxehtë ajo e Tahirit. Analistët janë fokusuar tek kjo çështje. Në harrojmë diçka të thjeshtë.
Një fshat në majë të malit nuk e ruan vetëm policia. Ka kompetenca nga kryeplaku, kryebashkiakët, policia dhe struktura të tjera, siç është SHISH-i.
Çështja është, a ka raportuar SHISH për çëshjen e Tahirit. Rama tha se jo! Ndërkohë që Basha dhe Berisha thanë se Ajazit i është bërë presion.
Nëse Ajazi del dhe thotë se ka dërguar materiale, atëhërë përgjegjësinë e ka Rama. Por nëse nuk ka dorëzuar asgjë, kanabisi duhet të vëzhgohet edhe nga SHISH.
Visho Ajazi mund të këtë arsyet e veta dhe ne nuk e dimë. Ne kemi dy deklarata të kundërta, Rama që thotë se s’kemi të dhëna nga SHISH, dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme. SHISH është në varësi të kryeministrisë. Pra organet nuk kanë kryer detyrën e tyre.
Kanabisi është një përgjegjësi e të gjithëve. Unë mbaj mend një ligj të Berishës, ku thoshte se dënohet kryeplaku nëse lejon mbledhjen e kanabisit.
Ndërkohë për kreun e ri të SHISH, e propozon kryeministri, e dekreton presidenti, por natyrisht që merr edhe miratimin e partnerëve.
ma.me