Çështja e prishjes së ndërtimeve në Himarë ka sjellë edhe reagimin e Greqisë. Pas zëdhënësit të qeverisë, në lidhje me çështjen është prononcuar edhe Ministri i Jashtëm grek Kotzias. Pas deklaratave të forta nga Athina, duket se shefi i diplomacisë ka shprehur një qëndrim më të zbutur të shtetit helen. Ai ka deklaruar se “nuk mund të pengojmë urbanizimin e një vendi të tretë, por qytetarëve grekë duhet tu jepen titujt e pronësisë”.
Koztias tha se muajt e fundit “u munduam që të vonohet çdo plan urbanizimi i autoriteteve shqiptare, me qëllim që t’u jepeshin banorëve titujt e pronësisë”.
Sipas Kotzias, dhënia e titujve të pronësisë u siguron pronarëve që: “së pari mund ta mbrosh në rrugë gjyqësore pronën tënde dhe së dyti, në rast shpronësimi nga shteti, ashtu si në gjithë botën, duhet të dëmshpërblehen”.
Ai shtoi se objektet që u shembën në Himarë nuk kishin tituj pronësie. “Në thelb, ishin prona pa pronarë, që pronarët e tyre nuk kishin kërkuar mbrojtje në rrugë gjyqësore”.
Por edhe në këtë mesazh nga Athina Zyrtare, gjithsesi nuk u kursyen kërcënimet, ashtu siç është bërë rrugë tashmë. Ministri i jashtëm grek deklaroi se garantimi i të drejtës së pronës për minoritetin është një nga pesë kushtet që i janë vënë Shqipërisë për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.
“Ne nuk mund të ndalojmë urbanizimin e një vendi të tretë. Mirëpo ne duam që e drejta e pronës, veçanërisht për minoritetin, të mbrohet”, përfundoi ministri i jashtëm grek.