Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, e cilëson denigrues sjelljen e politikës ndaj deputetit Saimir Tahiri, duke e krahasuar atë me gjyqet e inkuizicionit.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai shprehet se Prokuroria nuk paraqiti asnjë provë që të ligjëronte arrestimin e deputetit socialist dhe pse këtë masë e konsideron masë të fundit sigurimi në një proces penal.
Ai vlerëson qëndrimin e maxhorancës parlamentare për vendimin ndaj Tahirit, duke treguar sipas tij seriozitet për të luftuar kriminalitetin. U bënë dy javë që debati politik është fokusuar te fakti nëse duhej miratuar kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e deputetit Saimir Tahiri.
Si ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, ishte e bazuar kjo kërkesë nga ana kushtetuese?
Unë mendoj se problemi i arrestit është trajtuar me një frymë shumë çoroditëse, liberale, të papërgjegjshme. Sipas ligjit, arresti është mjeti i fundit, masë sigurimi e fundit, por herë-herë e rëndësishme që aplikohet në raste të veçanta përjashtimore. Ajo aplikohet për krime me rrezikshmëri të madhe shoqërore, mund të aplikohet për raste kur organi që heton grumbullon provat ka bindjen dhe argumente se personi nën hetim mund të largohet nga vendi dhe t’i shmanget përgjegjësisë penale. Në rastin konkret, unë mendoj se janë bërë shumë gabime, të cilat, mbase, nuk jam në gjendje t’i evidentoj saktësisht vetëm përmes një ideje, por them se logjikisht janë lejuar gabime dhe mangësi.
Ku i shihni ju gabimet?
Edhe pse është bërë një debat shumë i madh, askush nuk është bindur dhe nuk ka parë qëndrimin zyrtar të shtetit fqinj të Italisë ndaj organeve përkatëse ligjvënëse, ligjzbatuese në Shqipëri. Sepse në rastin konkret, mendoj se duhet të kishte një kërkesë të shtetit italian para Ministrisë së Drejtë- sisë shqiptare dhe para Prokurorit të Përgjithshëm për shtetasin e akuzuar. Unë mendoj se ai është denigruar tej mase, ndaj Saimir Tahirit gati sa nuk është bërë një gjyq si ata të inkuizicionit. Pra, shtetasit, opinioni publiku te ne ka shumë çoroditje për këtë çështje. Nuk është evidentuar asgjë në lidhje me punën që ka bërë Prokuroria jonë për këtë çështje, në cilën fazë hetimore ka mbetur ajo, nëse është dëgjuar i akuzuari, nëse ka pasur pretendime, nëse janë administruar prova ndaj tij. Asgjë nga këto nuk është kryer sipas nenit 34 të Kodit të Procedurës Penale, që detyrohet ta vërë në dijeni se ndaj janë tij janë grumbulluar prova nga një shtet tjetër etj., etj. Organet përkatëse, siç kam parë, nuk kanë qenë në gjendje të evidentojnë, t’u japin anëtarëve të Këshillit të Mandateve asnjë provë konkrete. Cilat ishin sipas Prokurorisë provat që duhet t’i viheshin në dispozicion çdo deputeti për të krijuar vizionin dhe qëndrimin për këtë çështje?!
Si jurist dhe si ish-anëtar i Këshillit të Mandateve, është e detyruar Prokuroria të paraqesë prova në Këshillin e Mandateve, apo provat paraqiten vetëm në gjykatë?
Ligjërisht provat e sakta, të qarta dhe të plota i paraqiten Gjykatës, e cila i sheh, i vlerëson, i administron dhe merr vendim mbi bazën e tyre. Por nuk mund të thuhet që Prokuroria mjafton të bëjë një kërkesë në Parlament dhe Parlamenti t’i japë lejen për ta arrestuar deputetin. Këshilli i Mandateve nuk mund të imponohet në kundërshtim me logjikën, me bindjen, me mentalitetin e vet çdo deputet. Edhe pse nuk ka atributin e vlerësimit të provave, Këshilli i Mandateve duhet të shohë jo vetëm nga ana proceduriale si zbatohen këto kërkesa të Kodit që thamë më lart, që edhe ato janë të lidhura me prova dhe fakte, por dhe nga ana materiale, çfarë ka organi i akuzës për të. Sepse kërkohet të vendoset masa e fundit e sigurimit për të, sepse mendohet, pse jo apriori, një rrezik i fundit që mund të ndodhë pas arrestimit, ashtu siç ka ndodhur dhe në të shkuarën me Fatos Nanon. Edhe atëherë u bë bujë e madhe, kiameti, dhe në fund, gjithë ajo akuzë përfundoi në një pafajësi legjitime. Pra, unë them se Kuvendi duhet të zbatojë kriteret formale dhe proceduriale, që shumë prej tyre nuk janë zbatuar, dhe pastaj, domosdo duhet të pasqyrohet e t’i ekspozohen Parlamentit minimalisht provat e domosdoshme që e bindin atë se deputeti është fajtor.
Prokuroria thoshte se mungesa e arrestimit mund të çonte në prishjen e provave.
Nëse organi i Prokurorisë punon sipas kritereve ligjore, asgjë nuk mund të prishë i akuzuari, pasi vihet para përgjegjësisë penale. Sot ekzistojnë mjete nga më të sofistikuarat nëse bëhen hapa për prishjen e provave, sepse mund të zbulohet çdo veprim i cenimit të provës. Insistoj në këtë pikëpamje, sepse vë re me keqardhje, sepse mjaft herë gjykimet te ne, qoftë hetimi, e qoftë gjykimi, bëhen shumë përciptazi, duke çuar në fajësi apo pafajësi me ose pa vend, me prova të dyshimta, me prova të pakta, pa prova fare. Ky problem i cilësisë së dhënies së drejtësisë në Shqipëri është bërë problem shqetësues para Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Janë me dhjetëra vendime që kanë ndëshkuar qeverinë shqiptare, që duhet t’i dëmshpërblejë, dhe janë me qindra të tjera që presin të gjykohen në Strasburg, dhe kam frikë se do ta ndëshkojnë edhe më keq. Pra, unë mendoj se sot luftën kundër krimit duhet ta vështrojnë me një sy tjetër, që për të dhënë përgjigje apo një opinion, duhet të shqyrtojmë se çfarë pozicioni do të mbajnë këto hallka ndërkombëtare dhe për rastin konkret. Këtij problemi qeveria dhe Parlamenti shqiptar duhet ta mendojnë mjaft mirë, se do të vijë një ditë edhe më e errët se kjo në lidhje me detyrimet që do të ketë Shqipëria ndaj vendimeve gjyqësore që do të vijnë nga Gjykata e Strasburgut.
Vendimi i PS për dhënien e lejes Prokurorisë për kontroll, por jo arrest ishte korrekt?
Për mua vendimi i shumicës për dhënien e lejes për kontrollin personal dhe të banesës m’u duk se dëshmoi për preokupimin e maxhorancës, vlerësimin serioz që i bën ajo problemit dhe luftës kundër kriminalitetit, dhe pse me dhimbje, sepse bëhet fjalë për një ish-ministër të saj dhe m’u duk logjik vendimi për t’i hapur rrugën organit të Prokurorisë për të vazhduar nëse ajo e ka predispozicionin për ta hetuar çështjen në tërësi. Prokuroria i ka të gjitha mundësitë të vazhdojë hetimin, të institucionalizojë bashkëpunimin me shtetin italian, të administrojë provat siç i kërkon Kodi i Procedurës Penale, të vërë para përgjegjësisë duke i kërkuar sqarime për çështjen, duke i siguruar të drejtat në këtë proces të akuzuarin, dhe vetëm pas kësaj, ajo mund të diskutojë me seriozitet, me logjikë të ftohtë dhe paanshmëri nëse i lindin e i krijohen rrethana të tjera të reja për të kërkuar masën ekstreme të arrestit.
Nga ana kushtetuese dhe juridike, si e vlerësoni debatin për rregullimet ligjore të mundshme për zhveshjen e deputetëve nga mandati?
U bënë 5-6 vjet që në Shqipëri u bë një debat për çështjen e imunitetit dhe u arrit që të korrigjohej imuniteti për deputetët apo personalitetet e tjera. Tani dihet botërisht që personat me imunitet nuk e gëzojnë këtë sa i takon ndjekjes penale. Ata para ligjit janë njëlloj të barabartë me çdo shtetas shqiptar, qoftë në raport me kërkesat për t’iu përgjigjur organeve përkatëse në çdo moment që ata e gjykojnë, qoftë në raport për akses për hetimin kur ata akuzohen. Sot deputetët kanë imunitet të kufizuar dhe imuniteti është i lidhur me të drejtën e kontrollit personal, e banesës personale dhe mbi të gjitha me problemin e arrestit. Çështja e imunitetit ka gjetur një zgjidhje të pranueshme dhe Prokuroria s’ka asnjë pengesë për të hetuar cilindo. Ajo, pasi fillon çështjen, pasi heton, grumbullon provat e pasi dëgjon personat që kërkon t’i vërë para përgjegjësisë, mund të kërkojë që Kuvendi ta pajisë me të drejtën për të zhvilluar kontrollin e banesës, kontrollin personal, pse jo në raste të veçanta, edhe për të vendosur arrestin./b.d