Ashtu si pritej Lewis Hamilton e fitoi titullin e katër botëror të Formula 1 në garën për Çmimin e Madh të Meksikës, edhe pse përfundoi i nënti pas një përplasje me rivalin e tij, Sebastian Vettel.
Ky triumf e bën atë padyshim pilotin më të suksesshëm britanik të Formula 1 në histori, duke e kaluar Sir Jackie Stewartin me një titull më shumë. Në këtë mënyrë, ai barazohet me Vettelin dhe francezin Alain Prost, me nga katër tituj.
Ai mbetet me një titull prapa argjentinasit Juan Manuel Fangio dhe natyrisht prapa rekorderit Michael Schumacher, i cili i ka fituar shtatë tituj gjatë karrierës mbresëlënëse. Në xhiron e parë, piloti i Mercedesit pësoi një goditje nga piloti i Ferrarit dhe kjo bëri që dy rivalët të pësonin dëmtime në bolidët e tyre dhe të mbetnin prapa në garë.
Vettel ia doli të ngjitej në vendin e katërt, mirëpo ai duhej ta zinte pozitën e katërt për të qenë matematikisht në garë për titull. Garën e Meksikës e fitoi piloti i Red Bullit, Max Verstappen, i cili dominoi prej se e mori kryesimin (në momentin kur edhe ndodhi incidenti ndërmjet Hamilton dhe Vettel). (b.an)