Tonelat e kanabisit të cilat nisen nga brigjet shqiptare drejt Italisë kanë detyruar autoritet e dy vendeve të ngrenë një tjetër grup të përbashkët hetimor.
Përveç task-forcës me antimafian e Leçes, Prokuroria e Krimeve të Rënda po bashkëpunon me antimafian e Barit.
Në fokus të punës së hetesuve te dy vendeve janë grupet qe trafikojnë drogë nga bregdeti shqiptar me destinacion Barin. Prokurorët kanë mundur të identifikojnë një grup kriminal me qendër në Vlorë, i cili është mjaft aktiv ne trafikun e kanabisit.
Kjo bandë, sipas të dhënave të siguruara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, nuk përdor vetëm bregdetin e Vlorës, ka nisur ngarkesa edhe nga Divjaka dhe Kavaja.
Hetimi me antimafian e Barit ka disa kohë që ka nisur dhe është duke u dokumentuar veprimtaria e grupit kriminal.
Rreth një vit më parë për shkak te situatës së krijuar me trafikun e drogës antimafia italiane kërkoi nga prokuroria shqiptare që të ngrihen grupe hetimore te përbashkëta, shkruan Klan.
Rezultatet e para bashkëpunimi i dha me goditjen e rrjetit te Habilajve. Krahas provave të mbledhura nga prokuroria e Katanias krimet e rënda arritën të faktojnë se Habilajt kanë kultivuar disa mijëra rrënjë kanabis në Treblove të Vlorës, parcela të cilat u shkatërruan ne një operacion të drejtuar nga Krimet e Rënda.
Bashkëpunimi me antimafian italiane për çështjen e trafikut të drogës u kërkua dhe në vizitën që kreu i këtij institucioni pati në Tiranë në shkurt të këtij viti dhe po ashtu edhe ne takimin e kryer këtë javë mes ministrave te Brendshëm të dy vendeve.