Pak orë pas ngjarjes në Berat, ku dy granata u hodhën në banesën e Kujtim Hoxhës në fshatin Drenovicë të njësisë administrative Kutalli, detaje të tjera bëhen të ditura.
Familjarët kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me askënd. Ata kanë pohuar se kur ndodhi ngjarja kanë qenë të gjithë në shtëpi, 6 persona.
“Ishim në gjumë dhe kemi dëgjuar shpërthimin e madh. U alarmuam të gjithë. Dolëm jashtë menjëherë dhe lajmëruam policinë. Pastaj erdhi policia dhe çaktivizoi granatën tjetër. Ne nuk e dimë se kush mund ta ketë bërë. Nuk kemi konflikt me askënd”, tha Antoneta Hoxha, bashkëshortja e Kujtimit.
Ngjarja ndodhi në orën 7 të mëngjesit të sotëm, ku një person ende i paidentifikuar hodhi në banesën e familjes Hoxha dy granata ofensive, njëra prej të cilave shpërtheu, ndërsa tjetra u çaktivizua nga policia. Fatmirësisht nuk pati persona të lënduar por vetëm dëme materiale.
Burime nga policia bëjnë me dije se po punohet për të zbardhur ngjarjen, por ende nuk ka persona të shoqëruar në polici.