Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, duket se nuk ia fal kryeministrit Edi Rama qe e shkarkoi si minister Drejtesie. Ai ka shpërthyer sot me tone të ashpra ndaj kryeministrit Rama, pas fjalës që ky i fundit mbajti sot në Akademinë Politike të PS. Manjani shkruan në ‘Facebook’ se Rama shpalli sot themelimin e Shkollës së Partisë, duke e cilësuar këtë si ‘shkolla e dreqit, shkollë leshi, shkollë krimi’.
Duke renditur disa pika, që sipas ish-ministrit të LSI, do të ofrojë kjo shkollë, ai shton se kursi do të fillojë me ciklin e leksioneve me temë ‘fajin e ka gjithë dynjaja’, i ndjekur nga cikli i leksioneve mbi ‘mediat në kazan dhe qeverinë tepsi’.
“Shkolla e drejqit. Sot Kryeministri shpalli edhe themelimin e Shkollës së Partisë. Në këtë shkollë/Akademi ofrohen kurse leksionesh për:
1. Gënjeshtrën publike pa tu dridhur qerpiku.
2. Drogimin e vendit si alternativë për të harruar varfërinë.
3. Burgosjen e cilindo, por jo të deputetët e Rilindjes.
4. Shitjen e Shqipërisë pjesë-pjesë kompanive off shore.
5. Bërjen e parave nga trafiqet ndërkombëtare.
6. Pastrimin e parave kriminale nëpermjet koncensioneve në infrastrukturë e me gjerë.
Shkolla ofron cikle leksionesh nga mashtrues kalibri, mbi etikën e komunikimit të gënjeshtërt! Kursi fillon me ciklin e leksioneve me temë: “fajin e ka gjithë dynjaja”! Pastaj do vijojë cikli i leksioneve mbi “mediat në kazan dhe qeverinë tepsi”. Shkolla do ketë edhe prakticienë të spikatur të dhunimit të Kushtetutës dhe ligjeve. Ata do ti ofrojnë të rinjve metoda praktike si të shkelesh ligjin, pa të hyrë gjëmb në këmbë! Shkollë leshi! Shkollë krimi! Shkolla e drejqit…”, shkruan ish-ministri.