Kryetarja e LSI, ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama për akuzat ndaj deputetit Saimir Tahiri. Në një postim në rrjetet sociale, Monika Kryemadhi shkruan se Rama doli sot të mbrojë, por edhe të shesë sipas interesit bashkëpunëtorin e tij në kriminalizimin e politikës.
“I frikësuari i drejtësisë Edi Rama doli sot të mbrojë, por edhe të shesë sipas interesit bashkëpunëtorin e tij në kriminalizimin e politikës Saimir Tahirin. Këshilltarët dhe miqtë e tij të besuar gati gati e kanë bindur Edi Ramën se ai nuk ka gisht në kanabizimin e Shqipërisë, duke harruar se frika e Edi Ramës është më e madhe se çdo parim apo miqësi e tij”.
Për Kryemadhin, deklaratat e Kryeministrit drejtuar prokurorisë janë një sulm i pa precedentë ndaj Reformës në Drejtësi.
“Sulmi i sotëm i paprecedent ndaj atij që deri pak javë më parë tundte flamurin e reformës në drejtësi është shenjë e qartë e aktrimit politik dhe paaftësisë për të kuptuar se kësaj reforme nuk i shpëtojnë dot as peshqit e mëdhenj të politikës. Edi Rama gabon kur dëgjon këshilltarët e tij se artificat në ligjet e reformës në drejtësi mund ta shpëtojnë atë nga drejtësia. Por si njeri i pathelluar nxitohet të deklarojë veten dhe bashkëpunëtorët e tij të pafajshëm duke sulmuar të vetmin organ ligjzbatues që fakton lidhjet e tij direkte me botën e krimit”.
“Qëndrimi i tij personal dhe i grupit parlamentar të PS nuk është asgjë më shumë vetëm se ikje e përkohshme nga e vërteta e fortë që do sjellë largimin e kriminelëve nga vendimmarrja e Shqipërisë. Sepse më mirë se të gjjthë, Edi Rama e ka të qartë që opozita nuk është më çështje kartonash të blerë me paratë e krimit, por çeshtje fryme dhe vullneti që do sjellin shumë shpejt largimin e bandave nga pushteti”, e përfundon reagimin e saj Kryemadhi.
a.ç