Në provat e sekretuara që dolën gjatë seancës së dytë në Kuvend, për imunitetin e Saimir Tahirit, prokuroria ka ofruar edhe dëshminë, sipas saj, të një polici në Vlorë, i cili ka qenë në një tavolinë me Habilajt dhe ata i kanë thënë atij që janë kushërinj të Saimir Tahirit dhe janë pjesëtarë me të në trafikun e drogës.
Që provat “me të dëgjuar” janë të dobëta parimisht, kjo është diçka e njohur. Me të dëgjuar nuk mund të implikosh për vepra të rënda penale askënd. Përfshirë dhe një deputet apo ministër. Duhen prova, jo thashetheme. Sepse po të jetë kështu, do të mjaftonte të hysh në llogarinë e Facebook-ut të Izet Haxhisë dhe të fusje në burg, me këtë kriter, gjysmën e PD, duke nisur nga Sali Berisha e familjarët e tij. Kujtojmë për shembull se Haxhia ka deklaruar disa herë se ish-kryeministri Berisha i ka kërkuar të hedhë një bombë mbi ambasadën amerikane në Tiranë si kërcënim ndaj ambasadores Mariza Lino?! A përbën kjo një provë, sipas kriterit “Tahiri”?!
Saimir Tahiri nuk është engjëll, gabimet e tij në historinë aktuale janë të rënda dhe deri naive. Por ama ai s’mund të jetë subjekt dënimi me dosje të sajuara me nxitim, sipas justifikimit “jemi në pritje të faksit nga Katania”! Apo me dëshmi policësh nëpër kafene fshati./ Javanews.al/