Nga Ben Andoni
Një vëzhgues i thjeshtë e kupton të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi vetëm midis deklaratave që bëjnë zyrtarët e njërës dhe tjetrës palë. Por në muajt e fundit, kjo marrëdhënie po merr kurs të qartë, paçka retorikës në ngritje dhe ulje të dy palëve. Nga pala serbe që është më e interesuar për ecjen e shpejtë në proceset e integrimit evropian, në nivelet më të larta, qëndrimi artikulohet ekskluzivisht nga ana e presidentit Vuçiç. Ky i fundit, në muajt e vitit 2017, e ka forcuar aq shumë pushtetin e vet saqë jo thjesht dikton mbi palët politike serbe, por ka arritur të bëhet një faktor i vockël qoftë edhe mes përplasjeve Lindje-Perëndim.
Në 24 orët e fundit, në një karshillëk të hapur ndaj Perëndimit ngriti në apoteozë marrëdhënien me Rusinë, teksa mori në dorëzim MIG-ët e premtuar. Po çfarë i duhet kjo armatosje? Me pak fjalë kuptohet se Serbia, si zgjatim i interesave ruse, do të bëhet një lloj mediumi me potencial ushtarako-politik në Ballkan. Nga larg, nga ku vështron, Bashkimi Evropian prej kohësh është jo thjesht e duruar, por edhe shumë i hapur ndaj Serbisë. Vetëm se kushtet, që diktohen për fat nga ata dhe sidomos SHBA-ja, janë të qarta: Nuk ka integrim serb në BE pa Kosovën. Dhe, me forcën e saj, por edhe me investimin e saj moral në Evropë, nuk mund të luhet.
Për fat, në bisedimet e ardhshme serbo-kosovare pritet që SHBA të ketë një rol më aktiv, falë insistimit kosovar, por në një farë mënyre dhe mirëkuptimit serb prej pamundësisë të ecjes në këtë rrugë. Prej muajsh ecejaket e ambasadorit amerikan në Beograd e tregojnë qartë se Washington-i do të marrë rol aktiv. Dhe, frika është edhe e përfshirjes ruse në këto biseda!!!
Por a po humbin serbët? Dhe, çfarë po fitojnë shqiptarët e Kosovës. Serbët, më saktë lexo Vuçiç, përfundimisht po përgatisin mjedisin që Kosova nuk do jetë më pjesë e Serbisë. Kjo do të thotë që deri në Mars kur do shpallet platforma serbe e Vuçiç për “krahinën autonome”, parashikohet që me ndryshimet kushtetuese të propozohet heqja e Kosovës nga preambula, ku cilësohet se “Kosova është pjesë e Serbisë”, me autonomi substanciale në kuadër të shteti sovran serb”.
Në fakt, është një make-up i nevojshëm që e ruan gjithsesi neni 8 i Kushtetutës, i cili saktëson se territori i Serbisë “është unik dhe i pandashëm, dhe kufiri është i paprekshëm”, që e justifikon sërish me konceptin e tyre qenësinë e Kosovës. Aman, parashikohet që skena serbe të pësojë një trandje të re sociale pas kësaj.
Po pala kosovare? Duket në një përgjumje të madhe në pamje të parë paçka se edhe ajo duhet t’i ketë vënë në lëvizje kapacitetet e saj për ato që e presin. Megjithatë mënyra sesi po veprohet me Demarkacionin dhe konflikti i brendshëm pa substancë që kanë realizuar thjesht po e rëndon. Kësaj i shtohet edhe problemi i Asosiacionit të komunave serbe, me mosmarrëveshje bazike. Në të dy këto probleme madhore është dashur që faktori politik kosovar duhej të ishte i unifikuar dhe me një zë. Sa i përket Shqipërisë, duket se ka shumë sportivitet, megjithatë kryeministri Rama dhe pastaj presidenti Meta kanë dhënë indikacionet zyrtare shqiptare, që shkojnë shumë me ato të BE-së. Ratifikim demarkacionit dhe jo viza shqiptare në masë për kosovarët.
Në fakt, problemi kosovaro-serb është bërë një nga konfliktet më të lodhshme të BE-së, ku në dukje kanë dalë dhe brishtësitë e strukturës, por edhe politika shumë e dyzuar e Brukselit. Që pas problemit ukrainas, së fundmi me Katalonjën, atë që e pret me të ardhmen e Skocisë, i duhet të mbyllë frontin e nxehtë ballkanas.
Tashmë dihet qartë se Beogradi dhe Prishtina kanë mospërputhje jo vetëm në arritjen e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe përfundimtare, por edhe me faktorët e tyre të brendshëm politikë. Ndaj si Thaçi por edhe Vuçiç po ulin në skakierë dy Fuqitë e Mëdha, për t’u treguar se ky proces është mbi ta.
Dhe, ajo që tashmë po kuptohet qartë dhe po merr dritë është se Serbia do të lëshojë udhën ndaj Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Deri më tani, egërsimin e saj dhe cinizmin e bëri që të tregojë se kanë ende fuqi, kurse Kosova po i kërkohet të jetë më racionale në kërkesat e saj.
Dhe, Haradinaj ka bërë një kthesë sa i përket Demarkacionit, kur ka thënë se po u provua që kufiri është njësoj, atëhere, do zbatojë verdiktin.
Paradoksi është se të dy palët, katër vjet më parë, u zotuan se nuk do t’ia prisnin udhën njëra-tjetrës në proceset integruese. Që nuk ndodhi nga mobilizimi i rëndë dhe cinik diplomatik i palës serbe. Kosova, pra, pritet të marrë dritë jeshile në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara, por kurrë me njohjen zyrtare nga ana e Serbisë.
Çfarëdo që të ndodhë, Serbia ka filluar të intensifikojë trajtimin e Kosovës si mitin e tyre real në kohët moderne dhe këtë e shikon në Beograd nga aktivitetet kulturor-sociale. Për publikun dhe marrëdhëniet gjithçka do kristalizohet deri në fund të vitit me ndryshimin e kushtetutës sllave dhe pastaj takimin e radhës Thaçi-Vuçiç, ku do të shikohet ravijëzimi i Kosovës së re. Ajo që mbetet për shqiptarët është se në vend të konfliktit social, duhet të veprojnë të bashkuar para situatës së re që i pret.
E megjithëse sërish gjithçka e kanë bërë të huajt, shqiptarët duhet të tregojnë se e meritojnë falë dhe politikave të tyre, që për hir të së vërtetës na kanë treguar me status të dobët të brendshëm shtetëror. (Javanews)