Nga Shpëtim Nazarko
Lufta e filluar nga opozita për kokën e Saimir Tahirit duket se mori një përmasë të re. Duke e konsumuar fillimisht si propagandë thjesht të tipit politik, udhëheqësi i opozitës, Basha, i kërkoi drejtpërdrejt Ramës ta arrestojë ish-ministrin e Brendshëm. Themi propagandë politike, sepse juristi Basha e di më mirë nga unë se kryeministri nuk arreston ministra. Në një rol të përafërt, vetëm Enver Hoxha, dikur, pa e vrarë mendjen, propozoi, domethënë urdhëroi, të arrestonin Kadri Hazbiun direkt e pa mbaruar mbledhja e Byrosë politike.
Dy ditë pas deklaratës së parë, Kryetari Basha, bashkë me pjesën tjetër të frontit opozitar: Kryemadhin, etj., e formalizoi kërkesën e tij, duke theksuar se kërkonte drejtpërdrejt dorëheqjen e Ramës.
Duke e vështruar pjerrtas lajmin në një nga televizonet e vendit dhe gjithashtu po njerëzit që u bashkuan me frontin e Bashës, m’u kujtua një nga tregimet e shkurtra të Lev Tolstoit. Këpucari i krahinës, që kish një ndihmës memec, por që nuk e dinte se ishte njëkohësisht dhe engjëll e që Zoti e kishte përplasur në tokë për të mësuar tri të vërteta para se ta ringrinte në qiell (e kjo për të mësuar nga gabimet e bëra më parë), mori porosinë nga kryepasaniku i vendit që t’i priste një palë këpucë që të mos i kishte njeri. Këpucari u tremb, por ndihmësi memec pranoi dhe posa iku pasaniku preu një palë këpucë për të vdekur.
Pesë minuta më vonë shërbyesit e pasanikut u kthyen dhe ndërruan porosinë, sepse vërtet i zoti i tyre kishte vdekur dhe duheshin këpucë për të vdekurin. I zoti pyeti ndihmësin se nga e dinte, që bëri këpucë të tilla. Ky, më në fund, foli dhe i tha thjesht se kishte parë shokun e tij prapa pasanikut që po priste t’i merrte shpirtin. Ai vazhdoi dhe më tej duke thënë se kishte mësuar rregullën e tretë që e ndihmonte të vinte prapë te Zoti. Kjo rregull ishte se njerëzit në përgjithësi, apo në shumicën e rasteve, nuk e dinë çfarë kërkojnë.
Për ta përkthyer çfarë u theksua më lart, me gjuhën e asaj që kërkojmë, duke parë frontin e ri që po kërkonte dorëheqjen e Ramës, si në tregimin e Tolstoit, duket se kemi atë “xhebrailin e famshëm” e që këtu e quajnë Vetting, i cili rri prapa shumë personazheve që te ne janë sa në pozitë aq edhe në opozitë.
Analiza, në një plan të drejtpërdrejtë të ngjarjes që ka personazh qendror Tahirin, por që mund të jetë dhe këpuca e pasanikut të Tolstoit, mund të bëhet edhe më e ftohtë nga sa e kam dëgjuar ditët e fundit, kur shumë palë analizojnë apo bërtasin nëpër ekrane, portale apo gazeta.
Po çfarë lidhje reale ka ironia e mësipërme me atë që po shohim? A është Tahiri vërtet epiqendra e asaj që në fund të fundit të shpie, siç mendon opozita, drejtpërdrejt te Rama?
Me sa di unë, njoftimi së pari u dha nga shtypi Italian dhe nuk është shpikje e opozitës apo ndonjë organi gjyqësor shqiptar të lidhur me opozitën. Duket se lajmi nuk është thjesht ndonjë porosi e klaneve të pafundme që gëlojnë në situata të turbullta apo në pritje të tërmeteve politike.
Po a mund të ishte i drejtpërdrejtë nga organet e shtetit italian? Natyrisht që mund të ishte dhe i tillë, dhe në këtë rast problemi do të ishte më i rëndë. Por probabiliteti për të qenë kështu do të ishte më i paktë. Pse e besoj një gjë të tillë?
Një shtet ky, qoftë edhe armik i shtetit tënd, në rastin normal nuk i pozon informacione të këtij lloji, veçanërisht kur flitet për “peshq të mëdhenj” të atij lloji që mund të shkaktojnë tërmete aq të fuqishme sa të çojnë në rrëzimin e qeverisë së shtetit tjetër, apo të shkaktojnë destabilitet të madh. Zakonisht ditja e një fakti kaq të rëndë kompromentues mbahet si një aset i dorës së parë për të fituar ndonjë copë, apo koncesion nga vendi apo qeveria që e pëson nga ky fakt.
Këto gjëra shpesh i shohim nëpër filma dhe përdoren si mjete kërcënimi apo shantazhi ndaj vendeve të botës së tretë, ku qeveritë apo diktatorët e tyre, ndërrohen më shumë sesa duhet brenda një periudhe të shkurtër. Pra thjesht nuk janë shtete reale…
Këto lloj shakarash ndoshta ndodhnin apo kanë ndodhur edhe në vendin tonë pak pas ’90-tës. Të detyruar ia mbathnin në syrgjyn gjysma, a më shumë, e opozitës së atëhershme e që erdhi në fuqi pas ’97-tës, mund të ketë bërë “gabime të vogla” a të mëdha, që pastaj Shqipëria e gjorë mund t’i ketë paguar me koncesione të rënda…
Në rastin e tanishëm nuk besoj këtë lloj varianti. Shteti italian, apo segmentet e tij të specializuara, pavarësisht shkallës së lartë të demokracisë, nuk besoj që të lëshojnë informacione kaq të klasifikuara në duart e asnjë gazetari, sado i kualifikuar apo i besuar qoftë ai. Në njëfarë mënyre këtë pohoi minstri i Brendshëm Xhafa kur theksoi shkurt se kjo është një çështje e drejtësisë italiane dhe i përkiste asaj ta çonte lojën deri në fund. Ishte një deklaratë precize që vë në provë në njëfarë mënyre edhe drejtësinë e arsyetimit të mësipërm.
Po a mund të jetë vetëm punë apo zbulim i shtypit italian, të cilit nuk i hyjnë në punë diplomacia shtetërore apo rregullat strikte që rrezikojnë në raste të tilla marrëdhënie shtetërore apo krijojnë destabilitet?
Raste të tilla i kemi parë dhe më parë. Pozita e sotme i ka kujtuar, më duket, në parlament ish-kryeministrit Berisha një informacion të dhënë nga gazeta më e rëndësishme amerikane në lidhje me emrin e përfolur në skandalin e armëve që shpuri në atë të Gërdecit, që në atë rast ishte ai i të birit. Përgjigjja e Berishës është e njohur dhe cilësimi që i bëri ai kësaj gazete si një paçavure pa vlerë.
Natyrisht që ai e dinte shumë më mirë se të tjerët atë historinë me rrezikun që vinte nga deklarimi i një gazete, që megjithëse në Amerikë është gati shtet brenda shtetit, është përsëri gazetë.
Konkluzioni është i thjeshtë. Një shtet që disponon të dhëna të këtij karakteri i mban si një aset të dorës së parë, dhe i përdor kur i duhet, apo nuk i përdor kurrë, sepse tejkalojnë atë që karakterizon etikën e shtetit në marrëdhëniet me një shtet tjetër.
A mund të ketë një variant të ndërmjetëm?
Një analist këto ditët e fundit pohoi se Rama e largoi Tahirin, se mund të kishte marrë informacion drejtpërdrejt nga Renzi, që e ka mik. Kjo gjë edhe mund të ketë ngjarë, megjithse jemi në fushën e hipotezave. Po a mjafton një hipotezë që të krijosh furtunë të atij lloji, që të kërkosh edhe një front të ri opozitar, apo dorëheqjen e drejtpërdrejtë të Kryeministrit. Pse jo?
Për ta kthyer këtë gjë në realitet, duhet të kesh jo vetëm fakte të dorës së parë, por edhe një pakënaqësi të madhe popullore në krahun tënd.
Në 21 janar të disa viteve më parë kjo lloj proteste çoi në një katrahurë, që dihet si përfundoi. Ajo që ishte e sigurt ishte se pavarësisht çfarë ndodhi, qeveria e atëhershme humbi tmerrësisht keq në zgjedhjet që erdhën. Nuk e rrëzuan dot as katër të vrarët dhe as jehona që shkaktuan këto vrasje dhe në Perëndimin e qytetëruar.
Në një mendim personal, duhet të themi se historia e drogës pa diskutim që është një histori kriminale dhe ata që janë përgjegjës për të, kushdo qoftë ai apo ata, natyrisht që duhet të paguajnë. Duhet ta paguanin drejtpërdrejt edhe në zgjedhje, por nuk ndodhi kështu. Duket sikur këtu jemi në kufirin e propagandës. Qeveria që i bleu zgjedhjet me drogë, sipas opozitës, nuk pagoi atëherë, por duhet të paguajë tani. Kjo duket pak a shumë si një shaka e jo realitet. Në një gjykim të thatë do të duhet të përqeshësh një shumicë të popullit me këtë hipotezë.
Kam idenë se opozita duhet të priste që ta zinte peshkun më me durim nëse vërtet mendonte që e kishte në rrjetë. Pra të priste, ose gjykimin e organeve të drejtësisë italiane, ose atë tonës. Duke i përshpejtuar ngjarjet, ajo ka hyrë në kufirin e një ngjarjeje që nuk ka për ta kaluar atë të një shashke të përsëritur.
Në një gjykim fare të thatë personal, mua më mbetet të rikujtoj edhe një herë tregimin e shkurtër të Tolstoit. Xhebraili i tmerrshëm që rri në kokë të të gjithëve, pozitë dhe opozitë, është ai i Vetting-ut. Çfarëdo që të bëjë njëra apo tjetra palë, ky kërcënim është më i afërt se kurrë dhe nuk mund ta mënjanosh dot me asgjë.
Duke e mbyllur, them edhe njëherë se nëse opozita e kishte tërë informacionin në dorë, mund ta kishte pjekur peshkun me emrin Tahir dhe, po të doni, edhe qeverinë e Ramës, me urtësinë më të madhe. Duke mos e bërë atë, por duke u bazuar vetëm në një gazetë dhe te propagandistë vetëm të tipit politik, ajo vetëm ka hedhur shashkën e radhës dhe demonstruar, po ashtu, se nuk ka zënë aspak mend nga gabimet e vjetra.(Konica.al)