Kërkesa e bujshme e dërguar sot nga prokuroria e Përgjithshme drejt Parlamentit, me të cilën kërkohet autorizimi për “të arrestuar ose për t’i hequr lirinë, ose për të kontrolluar shtëpinë e ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri” mund të mbyllet edhe me një bllof.
Dokumenti që i është dorëzuar Parlamentit nuk përmban në fakt asnjë provë të re të ndryshme nga ato fjali të përgjuara nga autoritetet italiane mes vëllëzërve Habilaj, në të cilat njëherë përmendet haptazi Saimir Tahiri, dhe dy herë të tjera përmendet në mënyrë të përgjithshme emri Saimir”.
Ashtu si nuk i mjaftuan këto citime prokurorisë italiane për të kërkuar arrestimin e ish ministrit të brendshëm, në të njëjtën mënyrë, nuk do të mund të mjaftojnë për prokurorinë e Tiranës, pasi nga një pikë vështrimi teknik ato fjali nuk përbëjnë asnjë provë gjyqësore.
E vetmja e re e ndryshme nga ajo që ka dalë deri më sot në shtyp, e që përmbahet në 5 faqet e kërkesës që i është çuar Parlamentit, janë 4 udhëtimet që kanë ndodhur në gusht të vitit 2014 me Audin e famshëm Audi8 që Saimir Tahiri ia kishte shitur njërit prej vëllezërve Habilaj.
Prokuroria citon si provë verifikimet e bëra në sistemin TIMS nga të cilat del “dyshimi” siç e pranon vetë prokuroria se Saimir Tahiri dhe Artan Habilaj udhëtonin bashkë. Por, po të shohim me kujdes të dhënat TIMS prania e ish ministrit dhe të kushëririt trafikant në të njëjtën makinë nuk tregohet. Vetëm nëse prokuroria do të ketë në dorë një provë tjetër akuza provohet, pasi edhe ky element rrezikon të bjerë e të mbetet në nivelin e një dyshimi të thjeshtë, edhe kjo e pamjaftueshme për arrestimin e Tahirit.
Por a është vërtetë arrestimi i Tahirit qëllimi i Prokurorisë? Bllofi mund të jetë pikërisht ky. Në fund të fundit prokuroria i ka kërkuar parlamentit vetëm lejen për të arrestuar, por kjo leje mund edhe të përfundojë edhe thjeshtë në një leje për të kontrolluar shtëpinë e Tahirit, ose maksimumi për të përgjuar telefonatat e tij.
Dhe nëse nga këto verifikime nuk do të dalin prova të vërteta, Saimir Tahiri nuk do të mund të arrestohet kurrë dhe lëvizja e prokurorisë do të rezultojë një lëvizje politike që ia arriti qëllimit të saj: Të njollosë e të godasë kredibilitetin e ish ministrit të Brendshëm, i cili prej më shumë se dy vitesh është në me Prokurorinë, dhe në mënyrë indirekte edhe Ramën dhe Partinë Socialiste.
*Marrë nga Shqiptarja.com