Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, njohës i mirë i historisë dhe i marrëdhënieve me jashtë, ka zbuluar disa aspekte problematike të ligjit për mbrojtjen e minoriteteve, ligj që është miratuar javën e kaluar pa debate. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Milo është shprehur se parimisht ligji duhet të miratohej, por përmbajtja e tij lë shumë vend për diskutime.
Ai u shpreh se kriteret mbi bazën e të cilave do të deklarohen qytetarët që u përkasin pakicave të ndryshme janë të gabuara. Këtu ai përmendi kriterin e vetëdeklarimit të personave si pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme. Ndërkohë, për historianin përfshirja në ligj e komunitetit bullgar do të sjell rrjedhoja negative për shtetin shqiptar dhe për popullsinë në zonat që tashmë me ligj njihen si zona ku jetojnë pakica bullgare.
Javën e kaluar me numrat e PS-së dhe të PD-së u miratua ligji për minoritetet në Shqipëri. Ju si historian, çfarë komenti keni për ligjin?
Ligji për mbrojtjen e minoriteteve ka qenë një domosdoshmëri dhe një kërkesë e kohës për tu bërë. Njëkohësisht ka qenë dhe një kërkesë e institucioneve europiane, e Këshillit të Europës dhe e Bashkimit Europian sepse tashmë prej vitesh Shqipëria ka nënshkruar dhe ka ratifikuar Konventën kuadër për mbrojtjen e minoriteteve të Këshillit të Eurpës.
Nga pikëpamja e përmbajtjes së saj, në parimet e përgjithshme ajo është një transliterim (përshtatje) i përmbajtjes së Konventës Europiane të Minoriteteve në kushtet e Shqipërisë. Pra, ka parimet bazë të të drejtave të minoriteteve që janë të vlefshme për të gjitha vendet, por ka edhe nene specifike për gjendjen e minoriteteve në Shqipëri. Nga kjo pikëpamje, mendoj se miratimi i ligjit është një veprim i dobishëm dhe pozitiv. Nëse do të merret në analizë përmbajtja e ligjit, e veçanërisht ato pika që kanë të bëjnë me përvojën shqiptare dhe me mënyrën se si ligji duhet të reflektonte këtë realitet shqiptar, atëherë këtu mund të ketë vend edhe për vërejtje, edhe për sugjerime.
Çfarë vërejtjesh keni ju, si njohës i historisë por edhe i marrëdhënieve me vendet fqinje, te përmbajtja e ligjit?
Para se të gjithash, vërejtja ime thelbësore është për metodën me të cilën u hartua dhe u çua në Parlament ligji. Ajo çfarë unë do të sugjeroja me vonesë sepse tani ligji është miratuar, është se ligji duhet të ishte bërë objekt i një debati publik, i një konsultimi me grupet e interesit më të gjerë, përveç me përfaqësuesit e komunitetit të minoriteteve përkatëse. Aty duhet të ishte tërhequr edhe mendimi i ekspertëve jo vetëm i atyre që mund të jenë në drejtoritë respektive të dikastereve por mund të ishte bërë objekt debati publik në televizione, në universitare, në qendrat e kërkimit shkencor, në shoqërinë civile nga ku do të ishin vjelë një numër mendimesh dhe propozimesh të dobishme që do ta bënin ligjim më përfaqësues dhe pse jo edhe më të mirë.
Problemi i dytë për mua, dhe këtu e shoh si historian dhe jam në të drejtën time që të flas me kompetencë, është se ligji përtej një qëndrimi refraktar që ka patur historikisht shteti shqiptar dhe në mënyrë të veçantë me minoritetet dhe të drejtat e tyre, tani paraqitet me një fytyrë shumë liberale; nga mohimi i një numri minoritetesh në Shqipëri ose cilësimi i tyre në këto 25 vitet e fundit si minoritete linguistike ose ento-kulturore, tani kalohet në një pohim dhe zyrtarizim i 9-të minoriteteve etnike.
Në të drejtën ndërkombëtare për minoritetet ka disa kritere në kategorizimin e minoriteteve; që ka patur minorite etnike, gjuhësore, fetare dhe minoritete linguistiko-kulturore. Ky klasifikim, tashmë me arsyen se Konventa Evropiane i ka kapërcyer këto klasifikime të vjetra, i vë në një rrafsh të gjitha minoritet ndonëse ato për një numër arsyesh nuk mund të jenë të barabarta për nga shtrirja, për nga niveli i zhvillimit, për nga tradita, për nga mënyra e shfaqjes së tyre etj.
Pra, ka një numër arsyesh që të bëjnë të mendosh që një minoritet i mirëfilltë etnik, me tipare karakteristike dhe me një histori të trashëguar dhe solide nuk mund të jetë i njëjtë me një minoritet linguistik, ose kulturor që ka prejardhje të zbehtë historike dhe që përgjithësisht nuk ka patur dhe nuk shpreh aspirata etnike. Për shembull, nuk mund të vësh në një plan minoritetin grek, si një minoritet i spikatur etnik në Shqipëri, me minoritetin rom apo egjiptian.
Jo nga pikëpamja e vlerave dhe të drejtave njerëzore por nga pikëpamja e përfaqësimit, e trashëgimisë, e rolit nuk është njësoj. Po kështu, për mendimin tim numërimi i 9 minoriteteve në një rrafsh është e gabuar edhe nga pikëpamja e realitetit historik në Shqipëri dhe këtu si shembull tipik mund të merret përfshirja e cilësimit të minoritet bullgar në Shqipëri.
Si e shihni faktin që në ligj u njoh edhe një minoritet, ai bullgar?
Nuk kam asnjë kundër të drejtës të pakontestueshme, mbështetur edhe në Konventën Europiane të vetëdeklarimit të secilit për të qenë ai që ndihet. Ky është një parim bazë në përcaktimin e minoriteteve, në përcaktimin e etnisë apo të besimit fetar apo të një grupimi etno-kulturor në përgjithësi. Kjo është një e drejtë universale dhe nuk mund të kundërshtohet. Por nuk është dhe nuk mund të jetë kriteri i vetëm për të përcaktuar përkatësinë e një personi në një minoritet të caktuar etnik.
Përcaktimi i përkatësisë etnike nuk është vetëm dhe nuk mund të jetë vetëm vetëdeklarimi dhe këtë e ka Konventa Euroopian e Minoriteteve. Ka dhe një numër arsyesh të tjera që kanë të bëjnë me traditën, me trashëgimin, me kushtet në të cilat jeton. Është absurde të mendohet pasi një numër qytetarësh, ta zëmë shqiptarë mbështetur në vetëdeklarimin si parim mund të duan të quhen amerikanë, britanikë, francezë. A mund të jetë ky kriter për të përcaktuar përkatësinë e tyre etnike, pa gjykuar se cila është origjina e tyre, cilët janë prindërit e tyre, paraardhësit e tyre, çfarë nacionaliteti kanë patur, ku kanë jetuar. Pra, ka një numër faktorësh që përcaktojnë, nuk është vetëm vetëdeklarimi.
ma.me