Nëse do të shkruante një vepër me karakter historik, Alfred Peza nuk do të kishte guxuar kurrë të fliste për ngjarje të ndodhura, pa pasur një dokument të shkruar, vetëm duke u mbështetur në zëra apo shkrime gazetash. Por me “Sarah”, ai mund ta çojë fantazinë e tij në limit dhe të bëjë të paqenat të qena, apo të ngrejë ngjarje e dialogë mbi hamendësime; ta bëjë Sara Blloshmin të dashurën e Zogut, ndonëse nuk ka ndonjë dokument ta vërtetojë; apo ta çojë në prag fejese Enver Hoxhën me motrën e Mbretit, Maxhiden.
Sigurisht, kjo ka shkaktuar edhe pak turbullira, por Peza qetëson: Nuk kam shkruar një roman historik dhe mos kërkoni të vërteta historike pas çdo detaji. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Peza tregon se si lindi romani i tij “Sarah”, ku ka hulumtuar për të ndërtuar figurën e Sara Blloshmit dhe sa të vërteta fshihen pas takimeve mes Ahmet Zogut, Faik Konicës e Gjergj Fishtës. Po ashtu, ai ndalet edhe në “provokimin” me fejesën e dështuar të Enver Hoxhës me Princeshën Maxhide, duke iu përgjigjur edhe nipit të Ahmet Zogut, Skënder Zogut.
Sipas Pezës, për këtë rast është shkruar në media, madje është thënë edhe se “kur Enver Hoxha e humbte vetëdijen për shkak të gjendjes shëndetësore, paskësh thënë: ‘Dërgoni lule te varri i Maxhidesë!’
Le ta nisim nga gjeneza. Si lindi “Sarah”?
Kultura e punës si gazetar, më ka mësuar shumë herët që të punoj me skeda, shënime, dosje, nënvizime librash dhe në arkiva. Prej gati çerek shekulli, në tryezën time të punës dhe në bibliotekë, kam sistemuar fletore, blloqe dhe shumë “file” elektronikë për çështje dhe tema brenda fushave të interesave të mia profesionale dhe personale. Disa prej tyre kanë shërbyer si lëndë për shkrime të rëndësishme, emisione televizive, për temën e doktoraturës, librin e parë, etj.
Shumë të tjera janë në pritje të projekteve të reja në vijim. Përveç informacioneve gazetareske, grumbulloj e ruaj histori njerëzore. E marr lëndën nga dossier-ët që botohen në media, letërsia dokumentare, librat me kujtime, dokumentarët televizivë, intervistat e personazheve publike dhe nga takimet e drejtpërdrejta me njerëzit. Është një interes që ka ardhur në rritje, për shkak se brenda këtyre historive, shpeshherë të jashtëzakonshme dhe unikale, gjen jo vetëm informacion, por edhe ngjyra jete, mesazhe dhe lëndë artistike që të mbushin dhe të befasojnë.
Një prej tyre, ka qenë edhe historia e jetës së Sara Blloshmit. E kisha hasur herët në leximet e mia, si një personazh të epokës mes dy luftërave botërore të shekullit XX, por pa u ndalur gjatë dhe pa u thelluar shumë. Ndoshta kjo qasje, për shkak të informacionit të pakët dhe të dhënave sporadike që qarkullonin. Duke pasur një interes të shtuar për publicistikën e viteve ’20-’30, shkova te historia politike e asaj periudhe, duke i thelluar njohuritë për Mbretin Zog, si personazhi dominues i jetës shqiptare.
Ç’ju tërhoqi te Sara Blloshmi?
Kur lexova shkrimet e para, intervistat dhe dokumentet e pakta për Sarah Blloshmin, e vendosa atë menjëherë në kontekstin e kohës dhe kuptova se prapa emrit të saj “të zakonshëm”, fshihej një personazh i jashtëzakonshëm. Tri ishin besoj elementet që ma dhanë këtë shkëndijë, duke u bërë shtysa përfundimtare për të eksploruar më tej, derisa vendosa që të fokusohesha mbi jetën e saj, thellësisht: Fakti që kishte qenë themeluesja e një sport klub tenisi në Shqipërinë e 100 viteve më parë (1922).
Së dyti, sepse shëtiste e zbuluar, me fustane të shkurtra dhe mbante kapele e parfume të Coco Channel, të njëjta me ato të elitës së Parisit të asaj periudhe, në Shqipërinë e sapodalë nga 5 shekujt e natës otomane. Së fundi, ajo që ia vuri vulën përfundimisht, u bë fakti se në një telegram të 3 janarit 1926 të ambasadorit gjerman në Tiranë, Kardoff, dërguar Ministrisë së tij të Punëve të Jashtme, raportohej se “në festën e Vitit të Ri, tek ambasadori amerikan ngjau diçka që meriton vëmendjen e të gjithë atyre që interesohen për çështje historiko-kulturore.
Për herë të parë në Shqipëri, një grua myslimane vallëzoi në publik… vallëzimi i gruas në publik, këtu, ende dënohet me ligj (ishte në fuqi ligji islamik dhe Kanuni)… Në tre të mëngjesit, ndërsa vallëzonin të palodhura (së bashku me të motrën), dukej se dy të zgjidhurat nga vargonjtë ende s’po bëheshin të ndërgjegjshme se shkundja e tyre e gjymtyrëve sinjalizonte, ndoshta, ardhjen e një epoke të re për Shqipërinë…”
Megjithatë, kur fantazia mbështetet mbi ngjarje e personazhe realë, padyshim, që nuk mjafton sa keni dëgjuar e lexuar në mënyrë sporadike, kërkohet hulumtim, madje faza përgatitore mund të jetë edhe më e gjatë se ajo e shkrimit. Si ka ndodhur me ju? Keni kërkuar nëpër arkiva, keni shqyrtuar dokumente?
Në momentin që kuptova përfundimisht, se Sara Blloshmi ishte personazhi, që me sa duket, kisha kërkuar prej kohësh për ta bërë pjesë të një projekti të madh letrar, fillova punën sistematike për të grumbulluar të dhënat rreth saj. Duke e gjurmuar në Bibliotekën Kombëtare, duke shfletuar gazetat dhe revistat e kohës, në Arkivin Qendror të Shtetit, në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku gjeta dosjen e saj të ndjekjes nga Sigurimi i Shtetit dhe dosjen e bashkëshortit të dytë, britanikut Robinson Guy Vandeleur.
Ndërkohë, vijoja të koleksionoja gjithçka botohej për të në mediat shqiptare, për historinë e familjes së saj (si mbesa e Ismail Qemalit), në internet gjeta detaje interesante nga albanologu Robert Elsie. Në Londër rashë në gjurmët e disa të dhënave interesante për jetën e Sara Blloshmit dhe vajzës së saj, Verës, të cilat, pas luftës, jetuan deri në fund të jetës, në Britaninë e Madhe. Shumë studiues e historianë më kanë ndihmuar me librat, mendimet, informacionet dhe të dhënat e vlefshme për ta “vizatuar” me sa më shumë realizëm dhe për ta sjellë sa më të gjallë atmosferën interesante të asaj epoke të jashtëzakonshme ndryshimesh në jetën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Romani është një trill i fantazisë, megjithatë, është i mbështetur në një vend dhe në një kohë të caktuar dhe s’mund të dalësh jashtë kornizave të saj. Sa të vërteta historike ka “Sarah”?
“Sarah” nuk është as tekst historie dhe as një roman historik. Por, nuk është thjesht dhe vetëm një histori dashurie, e aq më pak letërsi rozë. Është një libër i angazhuar, sa politik, aq edhe emancipimi e identiteti. Romani është një trillim i pastër artistik, i ngjizur me lëndë të parë, nga një periudhë historike reale, me personazhe realë dhe të trilluar, të vendosur në një kontekst të caktuar, për të përcjellë mesazhe universale. E thënë në mënyrë figurative, me lëndën dhe materialet e rrënojave të një kështjelle të harruar, jam munduar që të ngre një godinë moderne, sipas projeksionit tim jo vetëm për atë kohë dhe atë periudhë, por edhe për Shqipërinë e sotme dhe të ardhme.
Përtej dialogëve të supozuar, kanë ndodhur vërtet takimet e Ahmet Zogut me Konicën, apo me Fishtën, apo debati për divorcin?
Takimi i Ahmet Zogut me Konicën ka ndodhur, në një vend dhe në një atmosferë, siç edhe përshkruhet në libër besoj. Për çfarë është biseduar aty brenda, sigurisht që nuk dihet sepse nuk ekzistojnë dokumentet, ndaj unë e kam rindërtuar të gjithë bisedën mes tyre, sipas fantazisë sime. Imzot Noli ka deklaruar se, “jam gati të jap gjysmën e Shqipërisë, vetëm për të mësuar të vërtetën e asaj që është folur në atë zyrë”. Një diçiturë që i shkon aq shumë atij takimi, po të kemi parasysh se Zogu dhe Konica ishin dy njerëzit më të rëndësishëm të asaj epoke, ku njëri përfaqësonte atë pjesë të asaj Shqipërie, gjysmën tjetër të së cilës, e përfaqësonte armiku përballë.
Për sa i përket takimit tjetër mes Zogut, Konicës dhe At Fishtës që përshkruhet në fund të librit, ai nuk ka ndodhur në të vërtetë. Por, një letër me përmbajtjen e asaj bisede, që unë rindërtoj në këtë takim imagjinar, për t’i dhënë më shumë emocion rrëfimit, ata ia kanë dërguar së bashku Mbretit Zog. Ky është një fakt i njohur publik. Në letër flitet për shqetësimin në lidhje me çështjen e martesës së vonuar të Ahmet beut dhe për merakun që Mbretëresha e ardhshme e shqiptarëve, të ishte e besimit katolik.
As debati për aplikimin e divorcit në Shqipëri, siç është përshkruar në libër, nuk ka ekzistuar. Por ato mendime janë vendosur në gojën e At Fishtës janë ide të shprehura prej tij dhe citimet që bëhen në lidhje me qëndrimin e myslimanëve shqiptarë për këtë çështje, janë qëndrime zyrtare që ekzistojnë, gjithashtu.
Po raporti i Ahmet Zogut me Sara Blloshmin, ka ekzistuar vërtet?
Nuk besoj se ekziston ndonjë dokument zyrtar që të mund ta vërtetojë, me prova e fakte, një raport dashurie mes një Mbreti dhe një gruaje të martuar, në cilindo vend apo epokë të historisë. Për mua, ai raport ka ekzistuar. Ajo që vërtetohet është se Sara Blloshmi ishte e preferuara e Mbretit, si partnere vallë- zimi në ballot e Pallatit. Ishte e pashmangshme, besoj unë, që Ahmet Zogu, përveçse më i pushtetshmi dhe një mashkull i pashëm e beqar, që vallëzonte me gruan më të bukur të Mbretërisë, që kishte mbetur e ve në moshën 25-vjeçare, të mos kishte një raport afeksioni me të.
Aq më tepër, kur bëhet fjalë për një grua të elitës, mendjehapur, të emancipuar, të shkolluar në Perëndim, e që ishte ngritur e para kundër të gjitha rregullave dhe normave të shkruara e të pashkruara “morale” të këtij vendi. Besoj, gjithashtu, se ka qenë pikërisht ky raport që e bëri çështje kombëtare beqarinë e Ahmet Beut, që u detyrua të martohej në moshën 42-43 vjeçare, në një vend ku burrat po të mos ishin të martuar deri 20 vjeç, konsideroheshin me cene. Vetëm pas kësaj, erdhi edhe martesa e dytë e Sara Blloshmit.
Ndonëse Mbretëresha e Shqipërisë ka qenë Geraldina, shpirtërisht ju zgjidhni Sarën. Pse e bëni këtë?
Është një fakt i njohur historik, gjithashtu, se dashuria mes Geraldinës dhe Mbretit Zog është ngjizur pas martesës së tyre në vitin 1938. Kjo është pranuar nga vetë Mbretëresha zyrtare, në kujtimet dhe rrëfimet e saj. Besoj se është e paimagjinueshme, që deri atëherë Ahmet Zogolli të mos e kishte pasur qoftë edhe një herë të vetme mbretëreshën e zemrës së tij. Në rrethanat e krijuara pas martesës së tij, ishte shumë vonë që ai të kishte për herë të parë një “mbretëreshë zemre” jo gjatë viteve të arta e idilike të mbretërimit, por në mes të luftës dhe gjatë emigrimit të mallkuar që e shoqëroi deri në fund të jetës.
Botimi i një pjese nga romani juaj, për fejesën e dështuar të Enver Hoxhës me princeshën Maxhide, ka tërhequr jo pak vëmendje. Ka ekzistuar vërtet si mundësi, mund të na e vërtetoni këtë?
Jeni frymëzuar nga ndonjë thashethem, apo ishte thjesht një trill për të ngacmuar lexuesin? “Sarah”, duke mos qenë as libër historie dhe as një roman historik, por një vepër letrare, ju lutem, mos kërkoni që të gjeni në çdo detaj të tij të vërtetat e pastra historike. Për sa i përket episodit të fejesës së dështuar mes Enverit dhe princeshës Maxhide, sigurisht që ka zëra, të cilët janë botuar herë pas here në shtypin serioz shqiptar. Sipas këtyre shkrimeve, letërkëmbimin mes Enverit dhe princeshës Maxhide e ruante kjo e fundit.
Thuhet aty, gjithashtu, se korrespondenca mes tyre ishte kthyer në “obsesionin e jetës së tij”, aq sa në vitet e fundit të jetës, kur Enver Hoxha e humbte vetëdijen për shkak të gjendjes shëndetësore, paskësh thënë: “Dërgoni lule te varri i Maxhidesë!” Te kjo histori dashurie e pakonkluduar në fejesë, ndoshta mund të gjendet edhe njëra prej arsyeve se përse princesha Maxhide vendosi që ta mbyllte jetën si beqare.
Kam respekt për Skënder Zogun, i cili është prononcuar në lidhje me romanin, duket ende pa e lexuar atë. Ai duket gjithashtu i painformuar me detaje, se në roman nuk flitet për fejesë, por për dështimin e zyrtarizimit të saj. Nga ana tjetër, besoj se dëshmitari i vetëm gjallë i oborrit mbretëror shqiptar, ose ka qenë i vogël e nuk i mban dot mend të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur përpara rreth 80 vjetësh, ose druaj shumë që hallat të mund t’ia kenë treguar apo besuar domosdoshmërisht atij më pas çdo brengë të jetës së tyre.
Sa keni dashur të provokoni me këtë roman?
Provokimi nuk ka qenë një qëllim në vetvete dhe nëse ai ka ndodhur. Por duke qenë një libër i angazhuar, i cili rrok tema shumë të rëndësishme identitare, për një periudhë mjaft interesante të historisë së Shqipërisë dhe me personazhe të dorës së parë në jetën e vendit, vetvetiu që ka sensibilitete dhe çështje që mund të provokojnë debat. Kjo është normale në letërsi përgjithësisht dhe në një roman si ky, në veçanti. E kundërta duhet të na shqetësonte.
Tashmë romani është lexuar, ç’mendime keni vjelë? Ka pasur ndonjë reagim “ekstrem”, nga zogistë, enveristë…?
Tirazhi i parë i prodhuar është drejt përfundimit në treg dhe interesi i jashtëzakonshëm që ka ngjallur libri nuk e fsheh që më ka befasuar. Kjo më ka bërë që të besoj se mundi duket se nuk më ka shkuar dëm. Kuptohet që, ligjësitë e jetës së një romani janë krejt të tjera nga ato të ciklit të jetës njerëzore, sikundër edhe të jetës së një shkrimi apo emisioni televiziv.
Libri ka ende edhe shumë rrugë për të bërë, derisa të shkojë te lexuesi, të gjykohet, të pranohet ose jo prej tij, të zë apo jo vend tek ai. Vetëm pas kësaj, do të mund të krijohet një ide edhe më e qartë se çfarë fati do të ketë “Sarah” në të ardhmen. Për sa më përket mua personalisht, do të isha i lumtur nëse romani do të kishte fatin e Sarës. Nuk shoh të ketë reagime “ekstreme” nga “zogistët” apo “enveristët”. Nuk përjashtohet që kjo, apo reagime nga drejtime të tjera, të ndodhin në të ardhmen.
I mirëpres dhe sigurisht që do t’i shqyrtoj me interes e kujdes. Deri tani, reagimet e para të lexuesve të njohur e të panjohur, miqve, gazetarëve, intelektualëve, dashamirësve apo ekspertëve të letërsisë kanë qenë entuziaste. Kjo është diçka që më gëzon pa masë, duke u bërë një shtysë e brendshme për ta çuar deri në fund projektin tim, për ta shpjeguar me anë të një trilogjie letrare historinë e Shqipërisë. Një projekt që nisi me Zogun, e që do të vijojë me Enverin, për t’u mbyllur me një lider tjetër politik të pas 1990. Ajo që do të kenë të përbashkët këto tri romane do të jetë fakti se secilit lider do të mundohem që t’i jap “Sarah”-n që meriton.