Të dhënat tronditëse raportohen nga Instituti i Statistikave. Vetëm vitin e kaluar kanë humbur jetën 21 mijë e 400 persona, prej të cilëve më shumë se 10 mijë kanë patur si shkak kryesor sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut.
Në të dhënat e detajuara nga INSTAT thuhet se, 38.4 vdekje ndodhin në 10 mijë banorë.
Tabela tregon se vdekshmëri më të lartë për shkak të sëmundjeve të zemrës, ka në qarkun e Beratit, ku ndodhin 49,8 vdekje për 10 mijë banorë. Shqetësues është ky fenomen dhe në qarkun e Gjirokastrës me koeficient 48,8 vdekje për 10 mijë banorë. Ndërkohë që në qytetet e mëdha si Tirana, Elbasani e Durrësi, kjo sëmundje ka shifrat më të ulëta.
Mjekët shprehen se sëmundjet që ndikojnë tek funksionimi i zemrës janë ngushtimi i enëve të gjakut, hipertensioni arterial, diabeti apo dhe obeziteti. Ata ngrenë alarmin se vitet e fundit është rritur ndjeshëm dhe numri i të rinjve të prekur nga sëmundjet kardiovaskulare.
Kërcënuesit kryesorë në përhapjen e këtyre sëmundjeve është alkooli dhe duhani që ndikojnë direkt në funksionimin e zemrës. Gjithashtu pakësimi i veprimtarive sportive dhe të bërit e një jete sedentare e shton mundësinë e të prekurit nga këto sëmundje. Mjekët theksojnë se faktorë jo pak i rëndësishëm në krijimin e sëmundjeve të zemrës është stresi i vazhdueshëm./Klanplus/b.d