Report Tv ka publikuar fotot e të akuzuarit për terrorizëm nga Turqia, Muhammed Aydogmus. Sç duket edhe në foto, Aydogmus ka mbërritur në Gjykatën e Durrësit me pranga në duar dhe i shoqëruar nga dy punonjës policie. Ai u ndalua në datën 8 tetor në portin e Durrësit, teksa ndodhej i shoqëruar nga familja e tij dhe kishte për destinacion Italinë. Turqia ka lëshuar një urdhërarresti ndërkombëtar për Aydogmus me akuzën e përfshirjes në organizatë terroriste.
Njëkohësisht, Muhammed Aydogmus është identifikuar edhe si mbështetës i klerikut Fetullah Gylen i cili gjithashtu kërkohet nga Turqia si ideator i grushtit të shtetit korrikun e kaluar. Gjykata e Durrësit la të lirë një ditë më parë Muhammed Aydogmus, duke rrëzuar kështu njëkohësisht edhe kërkesën e autoriteteve turke për ekstradim. Ky vendim i drejtësisë solli edhe reagimin e ashpër të ambasadës turke në Tiranë të cilët e cilësuan skandaloze lirimin e Aydogmus, ndërsa theksuan se më këtë vendim cenohet rëndë siguria kombëtare e Shqipërisë.