Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara dhe Berzh nën mbështetjen e të cilit u finalizua ky projekt, nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për krijimin e “Platformës Informuese për tatimpaguesit”, sipas një njoftimi zyrtar.
Zyrat e informimit që do të pilotohen fillimisht do të jenë në qytetin e Fierit dhe Krujës dhe kanë për qëllim ofrimin e një informacioni të qartë dhe të përditësuar për tatimpaguesit, në lidhje me detyrimet tatimore, apo mbi regjistrimin e bizneseve të reja.
Këto zyra do të vendosen pranë qendrave të ADISA –s që ofrojnë shërbime publike të integruara me një ndalesë dhe pritet të jenë funksionale në fillim të 2018. Materialet informative, që do përgatiten për individët apo tatimpaguesit, janë të hartuara në format të lehtë për përdoruesit sipas nevojave të ndryshme si dhe do të jenë të disponueshme online.
Drejtori i BERZH në Shqipëri, z. Matteo Colangeli tha: “Përmirësimi i përmbushjes së detyrimeve tatimore është një element kyç për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe klimë më të mirë të investimeve. Ne e vlerësojmë bashkëpunimin me institucionet Shqiptare në këtë fushë të rëndësishme dhe mendoj se kjo iniciativë që prezantojmë sot ka ardhur pikërisht në kohën e duhur dhe plotëson fokusin e ripërtërirë të autoriteteve për të luftuar informalitetin. Ne jemi gati të zgjerojmë aktivitetet tona në mbështetje të një mjedisi më të mirë për biznesin në Shqipëri”.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Vasilika Vjero shprehu se shtrirja në një dimension më të gjerë të funksionimit të shërbimit dhe edukimit të tatimpaguesve për të qënë më afër tyre si dhe zgjerimi i rrugëve të informimit është në prioritetet e Administratës Tatimore. Asistenca e tatimpaguesve në këtë platformë informuese është iniciativë për të krijuar lehtësi në kuptimin dhe zbatimin e detyrimeve dhe të drejtave të tatimpaguesve duke nxitur më tej përmbushjen vullnetare.
Drejtoresha Ekzekutive e ADISA, znj. Anisa Gjika theksoi se: “Kjo iniciativë e përbashkët përfaqëson një përpjekje serioze drejt përmirësimit të cilësisë së shërbimit në përfitim të qytetarëve dhe bizneseve, si edhe në lehtësimin e qasjes ndaj shërbimeve publike. ADISA mirëpret iniciativa të tilla, pasi vetë thelbi i misionit të saj është përmirësimi i aksesit dhe cilësisë së shërbimeve publike”.(monitor)