E ëma e një prej fëmijëve që tërhiqet zvarrë nga një prej mësueseve të shkollës “Luigj Gurakuqi” e mësoi lajmin përmes kolegëve të punës, dy ditë pasi videoja e tmerrshme u transmetua nga “Fiks Fare”.
Më pas, Aurora u nis me urgjencë në shkollë, rreth orës 12:00 të mesditës së të enjtes.
“Kur e pashë që ishte fëmija im fillova të qaj, po çfarë të bëj? Ai nuk është agresiv, thjesht është i lëvizur, nuk është agresiv. Kurse për punën, nuk është bërë ndonjë punë e madhe”, thotë Aurora Shehi, e ëma e djalit të dhunuar.
Gazetarja: Në ç’kuptim nuk është bërë gjë për punën?
“E kam parë që bëhet më agresiv kur vjen këtu. Nuk ka mësuar asnjë gjë, ka 2-3 vite që e kam sjellë këtu. Çfarë mund të bëj? Ku ta çoj?”, thotë më tej Aurora.
Por, çuditërisht, nëna e fëmijës së dhunuar, pasi u thirr brenda ambienteve të shkollës doli me një mendje tjetër. Diçka ndryshoi, kur ajo takoi brenda drejtuesit e shkollës së përfolur.
“Fëmija im vjen me qejf këtu”, tha Aurora Shehi, e ëma e djalit të dhunuar.
Gazetarja: Ju keni frikë se, pas kësaj interviste djali juaj mund të rrezikohet aty brenda?
“Ndoshta…”, tha e ëma.
Edhe prindër të tjerë të thirrur në Drejtorinë Arsimore shfaqen të frikësuar.
“Unë nuk e di çfarë ndodh në ambientet e klasës, sepse unë jam prind, unë nuk mund të rri brenda në shkollë”, tha një tjetër prind.
Por, e sigurtë është që videoja e transmetuar në emisionin “Fiks Fare” mbrëmjen e së martës, ku 4 mësuesit e shkollës “Luigj Gurakuqi” dhunonin me fjalë dhe gjeste nxënësit, të gjithë fëmijë me probleme mendore, ka tronditur thellë themelet e këtij institucioni arsimor.
Gazetarja: Unë jam gazetare në redaksinë e lajmeve në Top Channel.
Nëndrejtoresha: Shumë mirë!
Gazetarja: Dua të kem një bisedë me ju, me drejtorin, me mësuesit…
Nëndrejtoresha: S’ka problem, të kuptoj. Shiko Norën, ik e merr autorizimin.
Gazetarja: Ku merret autorizimi?
Nëndrejtoresha: Te Drejtoria Arsimore e Tiranës dhe ejani me autorizim, të vulosur e të firmosur. Gjithë të mirat! Ditë të mbarë! Mirupafshim!
Pas disa orësh pritjeje për lejen, vjen edhe përgjigjja e drejtorit të shkollës.
“Dje kam marrë masën e pezullimit, deri në zhvillimin e procedurave disiplinore sipas legjislacionit në fuqi, për 4 mësues. DAR Tiranë ka zëvendësuar mësuesit dhe mësimi sot është zhvilluar normalisht”, tha Elmaz Lala, drejtori i shkollës “Luigj Gurakuqi”.
Por a është mjafton pezullimi? A mund të kalojë gjithçka përmes një mase administrative në një rast të tillë? Si në këtë shkollë, ku fëmijët kanë nevojë jo për dhunë, por për kujdes të dyfishtë? Përgjigjja është e qartë. Jo! Së paku derisa të ndëshkohen fajtorët e vërtetë dhe arroganca e tyre./a.m.