Nga Armando Meta/
SPECIALE JAVANEWS/ Vetëm një ditë më parë nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, deklaroi se ndarja territoriale duhet të ndryshojë, duke mbështetur drejtpërdrejt kërkesën e PD-së për një riformatim të hartës territoriale. Ende ‘pa u tharë mira boja’ e Reformës Territoriale, e cila u miratua 3 vite më parë edhe me votat e LSI, drejtuesit më të lartë të kësaj partie, pas kalimit në opozitë, kërkojnë që të rihapet sërish çështja e Reformës Territoriale, me arsyetimin se “ndarja e re nuk krijoi pritshmëritë e duhura dhe nuk dha impaktin e duhur ekonomik”. Përtej retorikës politike duket se mbështetja e kërkesës së PD për ndryshimin e hartës territoriale LSI nga një anë përpiqet të japë një sinjal konkret bashkëpunimi me PD, dhe nga ana tjetër për ta vendosur veten në një pozicion më të favorshëm elektoral në zgjedhjet e ardhshme lokale të 2019 pas kalimit në opozitë. Por ajo që bie në sy është fakti se kërkesa për ndryshimin e hartës territoriale bëhet pikërisht nga nënkryetari i LSI, Vasili, i cili ka qenë edhe anëtarë i komisionit parlamentar për ndarjen territoriale. Gjatë gjithë punës së këtij komisioni si Vasili, por dhe figura të tjera të larta të LSI, duke filluar nga ish kryetari Ilir Meta, që ka qenë edhe kryetar i Kuvendit në kohën kur po formatohej Reforma në fjalë, sekretari i Përgjithshëm Luan Rama e deri në nivele deputetësh, kanë mbështetur ndarjen territoriale jo vetëm në procesin e hartimit në komisionin parlamentar, por edhe me votë në Kuvend. E vetmja votë abstenuese e LSI për Reformën Territoriale ka qenë ajo e deputetit Vangjel Tavo, i cili kërkonte një bashki minoritare në jug të vendit. Madje LSI i bënte thirrje Bashës të mos bllokonte ndarjen territoriale për interesa personale, “pasi 80 komuna janë parazite”. Javanews publikon disa prej deklaratave të krerëve të LSI në mbështetje të Reformës Territoriale që është aktualisht në fuqi.
Ish kryetari i LSI, Ilir Meta
“Janë 80 komuna të cilat duhet të shkrihen, pasi janë të tepërta. Opozita nuk duhet ta pengojë një reformë që duhej të bëhej me kohë. Ne do te kemi një reformë cilësore e cila do t’i rezistojë kohës. Janë 370 njësi vendore, dhe ky numër është i madh, nuk është efikas dhe shpërdoron taksat shqiptare. 150 komuna nuk realizojnë shërbimet për banorët dhe qytetarët. Nuk mund të vazhdohet më me këtë mënyrë. Në këtë strukturë ne harxhojmë 80 milionë dollarë prandaj është e domosdoshme që opozita të përfshihet në këtë reformë. Reforma prek 3 milionë shqiptarë dhe ndihmon që të ardhurat të menaxhohen më mirë”.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama
“Në tërësinë e reformave të mëdha që duhet të përmbushë vendi në kuadër të anëtarësimit të procesit të integrimit në BE, për të bërë të mundur që vetë ecuria e reformave në vend të jetë e atillë qe edhe për nga cilësia dhe shtrirja të jenë të ngjashme me reformat që meriton një vend i BE. Reforma administrativo-territoriale merr një rëndësi të dorës së parë. Ndaj LSI, jo vetëm e konsideron një hap të rëndësishëm, por do jetë kontributore e rëndësishme për të bërë të mundur që të realizohet reforma administrative dhe territoriale në mënyrë që çdo pjesë e këtij vendi, çdo pëllëmbë e këtij vendi të jetë pjesë e projekteve të mëdha të zhvillimit”.
Petrit Vasili, nënkryetar i LSI
“Ndarja e vjetër territoriale e bënte të pamundur për të bërë gjëra të rëndësishme. Prandaj këto zgjedhje duhet t’i vlerësojmë si asnjëherë tjetër më parë. Ne duhet ta mbështesim fort me votën tonë këtë organizim të ri administrativo-territorial sepse do të krijojë bashkë të rëndësishme të modelit evropian, bashki të cilat ne do t’i bëjmë për herë të parë”
Bilanci dramatik i komunave që gëlltisnin para nga buxheti i shtetit
309 komuna me popullsi nga 500-10 mijë banorë
1. Komunat, 2.5 miliardë lekë të rinj në vit vetëm për pagat
2. 200 komuna shpenzojnë mbi 40% të buxhetit për pagat e administratës
3. 100 komuna shpenzojnë mbi 80% të buxhetit për pagat e administratës
4. 70% e punonjësve në 80 komuna janë pa arsim të lartë
5. 50% e komunave nuk bëjnë asnjë investim në komunitet
6. 50% e komunave mbledhin 0-2% të buxhetit nga taksat vendore