Parlamenti katalunjas ka pezulluar përkohësisht miratimin e Deklaratës së Pavarësisë, për t’i hapur rrugën dialogut siç deklaroi presidenti Carles Puigdemont.
Në nisje të seancës, presidenti i rajonit të Katalunjës Puigdemont iu drejtua deputetëve, popullit katalunjas, Spanjës dhe Evropës. Puigdemont deklaroi se populli katalunjas kërkon pavarësinë nga Spanja. Ai tha se tashmë kjo nuk mund të trajtohet më si një çështje e brendshme e Spanjës por si çështje evropiane. Ai tha se vendimi për pezullimin e përkohshëm të Deklaratës së Pavarësisë merret për të mos tensionuar situatën.
Presidenti i rajonit të Katalonjës deklaroi se “ne nuk do ta përshkallëzojmë situatën. Jemi pro dialogut. Dëshirojmë të bisedojmë. Ne përfaqësojmë 7.5 mln njerëz”
“Referendumi u mbajt në kushte të vështira. Policia nuk lejoi qytetarët të votonin. Katalonja jo më çështje e brendshme por evropiane”, tha Puigdemont.
“Ne jemi të gjithë pjesë e të njëjtit komunitet. Pavarësisht se çfarë do të ndodhë duhet të jemi të bashkuar. Kemi vërtetuar disa herë se e vetmja mënyrë për të ecur përpara është demokracia dhe paqja dhe kjo do të thotë të respektohen të gjitha mendimet. Gjatë ditëve të fundit shumë njerëz më kanë sugjeruar se çfarë duhet të bëj. Duhet të respektojmë këdo për mendimet. I falënderoj të gjithë sepse të gjithë kanë arsyet e tyre. Mendimi i tyre ka qenë i vlefshëm për mua. Ajo çfarë unë dua të propozoj nuk është vetëm mendimi im por mendime të tëra së bashku. Kemi bërë edhe vlerësimin e rezultateve të referendumit. U mbajt një referendum në kushte shumë të vështira. Kjo është hera e parë në demokraci që ka ndodhur diçka e tillë , që ka pasur sulm nga policia. Policia ka bllokuar votimin, iu ka ndaluar njerëzve të votojnë dhe për shkak të veprimeve të policisë shumë njerëz u lënduan. Njerëzit u frikësuan, u pushtuan nga paniku por në fakt policia spanjolle nuk e arriti qëllimin e saj që ta ndalonte referendumin, përkundrazi, ka qenë një pjesëmarrje e madhe në referendum. Nuk mund të kemi një statistikë të saktë për pjesëmarrjen duke marrë parasysh kushtet në të cilat u zhvillua referendumi. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të policisë, referendumi arriti të zhvillohej. Dua të falënderoj të gjithë ata që arritën të votonin dhe ta bënin këtë referendum të mundshëm. Mbi të gjitha edhe punonjësit që kanë marrë pjesë në organizimin e këtij referendumi që iu bënë ballë edhe kërcënimeve”, tha Puigdemont.
Policia katalanase ruajti parlamentin rajonal dhe dhjetëra traktorë janë parë jashtë parlamentit. Prezente ishte edhe policia kombëtare spanjolle si dhe mijëra njerëz.
Më herët qeveria e Madridit i bëri thirrje presidentit separatist të Katalonjës, Carles Puigdemont për të mos ndërmarrë asgjë të pakthyeshme.
/a.m.