Policia e Shtetit po verifikon aktivitetin që ka kryer shqiptari i arrestuar në Malajzi për terrorizëm, Klodjan Zaimaj.
Ai mendohet se bënte rekrutimin e të rinjve malajzianë te organizata terroriste ISIS. Klodjan Zaimaj ka udhëtuar disa herë drejt Shqipërisë vitet e fundit, ku ditën e Bajramit, në 25 qershor, ai ka predikuar në Xhaminë e Cërrikut. Pikërisht kjo është xhamia e cila nuk është pjesë e juridiksionit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit po mbledh informacione nëse Klodjan Zaimaj ka rekrutuar të rinj nga Shqipëria për organizatën terroriste ISIS. Shqiptarja.com shkruan se në hetim janë disa nga miqtë e Zaimajt në Cërrik dhe në Lushnje.
Kur ka qenë në vizitën e fundit në Shqipëri Klodjan Zaimaj është takuar me imamin e xhamisë së Cërrikut, por edhe me disa të rinj të tjerë, të dyshuar se duan ti bashkohen ISIS-it. Pikërisht ky takim është duke u hetuar nga Antiterrori dhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Deri më tani nuk janë zbuluar të rinj që i janë bashkuar ISIS, por hetimet janë përqendruar te fakti nëse këta persona kanë ose prirje terroriste.
Klodjan Zaimaj vijon të jetë i arrestuar në Malajzi, që prej datës 1 tetor, me akuzën për krijimin e organizatës terroriste dhe sipas mediave lokale aty, ende nuk ka pranuar asnjë prej akuzave. Edhe bashkëshortja e tij, Marinela Zaimaj ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Klodjan Zaimaj është shkolluar në Malajzi dhe nuk ka lidhje me terroristët. Edhe prindërit e tij e kanë quajtur arrestimin si të inskenuar nga persona të tjerë./a.m.