Ambasadori i OSBE në vendin tonë, Bernd Borchardt duke folur në parlament në 70-vjetorin e vrasjes së grupit të deputetëve nga regjimi komunist, ka deklaruar se regjimet shtypëse bien me revolucion por ideologjia e tyre mund të vazhdojë nëse ato nuk diskreditohen.
“I takon shoqërisë shqiptare dhe këtij parlamenti të vendosë nëse mund të bëhet më shumë në këtë fushë.
Ju po njiheni me krimet e së kaluarës dhe po i dënoni ato. Kjo arrin përmasa shndërruese, sepse pranimi publik kontribuon në çlirimin e shoqërisë. Ekspozimi i shkeljeve i damkos shkelësit, duke i syrgjynosur në të kaluarën e hidhur.
Në vendin tonë iu desh 47 vjet për ta arritur këtë vendim. Regjimet shtypëse bien me revolucion ose me përmbysje, por ideologjia e tyre mund të vazhdojë nëse ato nuk diskreditohen. Ju shpallni qëndrimin e përbashkët politikë dhe ndani të njëjtën vetëdije politike me votuesit tuaj. Kjo vetëdije që shpall atë që ishte e gabuar e ndan edhe më shumë shoqërinë nga regjimi i mëparshëm.”, -tha ambasadori./b.d