Çdo qytetar apo subjekt biznesi që shkel Kodin Rrugor duke vendosur tabela apo objekte që cënojnë sigurinë rrugore do të ndiqet penalisht. Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro ishte në segmentin Shkozet-Plepa ku ndoqi nga afër punën që po bëhet nga ARRSH dhe IKMT për pastrimin e nyjeve dhe akseve rrugore kombëtare.
“Po vazhdojmë aksionin për pastrimin e rrugëve kombëtare nga të gjitha tabelat, reklamat, mjetet informuese, kioskat dhe çka është shpallur që në fillim me planin e punës. Po mbarojmë aksin Tiranë-Durrës dhe Shkozet-Plepa. Dua tu bëj një thirrje të gjithë qytetarëve dhe gjitha bizneseve që të mos vendosin sërish këto që ne po i heqim ose të tjera. Nuk do të veprohet vetëm me heqje por do të ndiqen penalisht nëpërmjet denoncimit që do të bëjnë kompanitë e mirëmbajtjes që operojnë në të gjitha akset kombëtare”, paralajmëroi Qendro.
ARRSH dhe IKMT po vazhdojnë evidentimin e situatës në akset e tjera Tiranë-Hani i Hotit; Tiranë-Vlorë; Tiranë- Kapshticë, Levan-kakavijë dhe Vlorë-Sarandë-Jorgucat. Në këto akse do të ndërhyhet në javët e ardhshme./a.m.