Ish-shefi i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në vitet 1999-2000, Veli Myftari ka folur për situatën aktuale të krimit në vend dhe bën një krahasim me kohën kur uniformat blu drejtoheshin prej tij.
I ftuar në “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24, Myftari duke iu referuar bandave të Elbasanit, tha se drejtuesit e sotëm të policisë nuk e kanë guximin të merren me ta, pasi veprojnë edhe në trysni të politikës.
“Deri në 2000 ka pasur probleme, ishin tri banda që ne i asgjesuam. Por në krahasim me më vonë, ato nuk patën aktivitet. Sot janë rritur shumë, dy banda, që nuk e di a i janë kundërvënë policisë e shtetit. Nuk dua ta quaj dramatike situatën aktuale në Elbasan.
Drejtuesit e policisë atje nuk e kanë guximin që të merren me ta. Policia funksionon edhe në trysni të politikës. Por nuk më duken në atë shkallë që të shkaktojnë frikë në qytet këto banda. Besoj se z. Xhafaj do t’ja arrijë mposhtjen e tyre. Para se të vija unë në drejtim të Policisë së Shtetit, në vitin ’98, policia nuk ka qenë në atë shkallë lidhje me elementin kriminal. Politika e realizoi për të krijuar pushtet më të plotë, për interest e veta.
Punonjësit e policisë ishin të lidhur në mënyrë të kujdesshme për bandat, por nëse ekziston kjo lidhje atëherë policia ka mbaruar. Në periudhën time nuk ka qenë në këtë shkallë që është sot” tha Myftari.
Ish-drejtori i përgjithshëm i policisë dha dhe një panoramë të policisë në vitet 1999-2000 duke i cilësuar uniformat blu si më profesionale, shkruan BalkanWeb.
“Më parë ishte sistemi mono-partiak, policia ishte më e përgatitur profesionalisht, kishte përballje tjetër me krimin. Kjo që është sot është më e lartë, më e përhapur. Atëherë kishte vrasje e vjedhje si dhe luftë ndaj mashtrimit, që konsiderohej një nga veprat penale që duhej goditur në kohë. Ky krim pati përhapje të madhe pas viteve 90’.
Banda të mirëfillta nuk ka patur, ishin të rralla. Konsideroheshin vetëm ato persona me interesa të larta shtetërore, siç mund të përmend Xhefdet Mustafën. Kishte një repart policie shumë solid.
Kishte element të veçantë, grupe të veçanta, jo si tani që janë rritur me përmasa galopante. Elementët janë ndjerë kur bëheshin trafiqe të ndryshme,” u shpreh ai.
Referuar kohës së kokunizmit ai tha se “gratë apo qytetarët lëviznihn lirshëm, pa pasur frikë në çdo orë”.
Myftari gjithashtu shpjegoi edhe disa nga arsyet e ‘lulëzimit’ të krimit pas vitit 2000.
“Nga ndryshimet demografike në vend pati hapësirë që elementi criminal, për të krijuar pasuri në mënyrë të shpejtë përdorën rrugët, trafiku i drogës, i qenieve njerëzore, i armëve. Këto nuk i patëm ne, por është importuar nga Europa, nga Lindja ose Perëndimi. Ngjarjet e ’96, bashkëpunimi i elementëve me mafien italiane, bënë që të rritej ndjeshëm krimi në vend,” tha Myftari.