Ish-deputeti i PD-së Astrit Patozi ka folur edhe për mungesën e disa emrave të njohur si kritikë të Lulzim Bashës në platformën për ringritjen e PD-së. Lidhur me marrëdhënien me ish-nënkryetaren e PD-së, Jozefina Topalli, Patozi tha se ka marrëdhënie korrekte si me çdo koleg të PD-së, ndërsa marrëdhënia personale sipas tij nuk i intereson publikut. I pyetur nëse ka pasur ndonjë problem me zonjën Topalli në të kaluarën, Patozi nuk preferoi të fliste por tha se është një temë për të cilën mund të flitet në një emision tjetër.
Pse nuk e paraqitët platformën në PD?
Për hir të transparencës më duhet të them se ka pasur një depozitim, të nesërmen pasi u bë publike, të martën. Bëmë një mbledhje që zgjati 2 orë kur bëmë platformën dhe ditën e nesërme ka pasur një depozitim zyrtar të kësaj platforme. E kemi ezauruar edhe atë momentin që nuk ka shumë rëndësi.
A mund të gjykoheni për atë që keni thënë vetë për zotin Basha që ka anashkaluar forumet kur edhe ju vetë nuk e kaluat në forume?
Ne nuk e kemi anashkaluar përderisa e kemi depozituar në PD.
Kritik ka qenë edhe zoti Berisha?
Nuk e kam dëgjuar. Në rast se është siç thoni ju, më duhet ta shoh. Mbase zoti Berisha nuk e ka ditur këtë detaj që është depozituar. Mbase zoti Berisha nuk ka qenë i njoftuar që kjo procedurë është ezauruar.
Këtyre 65 firmave iu kanë munguar zëra si Topalli, Imami, Ruli, pse?
për sa kohë platforma është një dokument dhe përderisa qëndron e hapur i mbyll diskutimet për emrat. Unë s’kam tagrin të flas sepse jam një nga nënshkruesit. Ky dokument është nisja e një lëvizjeje. Unë kam respekt për çdo koleg por çdo emër që përmendet është apo s’është e sposton vëmendjen nga dokumenti. Është një lëvizje politike që ka një platformë.
Cila është marrëdhënia juaj me zonjën Topalli, a ka ndodhur diçka mes jush më para?
Kam marrëdhënie shumë korrekte si me shumë kolegë të tjerë. Për publikun s’kanë asnjë lloj interesi marrëdhëniet personale.
A kontaktoni me të?
Sigurisht që po. Nuk kanë rëndësi marrëdhëniet mes politikanëve. Unë sigurisht kam kontakt me çdo figurë dhe personalitet të PD-së dhe do vijoj të jem në kontakt me të gjithë dhe në nivele të ulëta dhe për anëtarësinë. Vetëm një front i madh i bashkuar mund ta detyrojë zotin Basha që nëse ka ndërmend ta ringrejë PD-në. Nëse ai dëshirë të ketë një PD të bashkuar dhe nuk ka mendjen e kolegut të Sali Berishës sigurisht që janë të gjitha mundësitë dhe ne i kemi shtrirë dorën./a.m.