Policia Rrugore e Tiranës ka nisur të zbatojë një ‘Plan Masash’, për ndëshkimin e mjeteve të shërbimit publik, që transportojnë fëmijë e nxënës shkollash.
Plani që ka nisur të gjejë zbatim prej një jave nga Policia Rrugore e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, po vijon punën për kontrollin e automjeteve të shërbimit publik, që transportojnë fëmijë në shkolla e kopshte. Kontrolli ka konsistuar në drejtim të dokumentacionit, kryesisht të kontrollit teknik të këtyre automjeteve , si dhe në drejtim të zbatimit me përpikmëri të rregullave të transportit të fëmijëve.
Policia thote se këto kontrolle kanë për qëllim rritjen e sigurisë së jetës të fëmijëve që qarkullojnë me këto automjete. Gjatë kontrolleve të ushtruara gjatë kësaj jave, Policia Rrugore e Tiranës ka konstatuar një sërë shkeljes në drejtim të kontrollit teknik të automjeteve, si dhe në drejtim të transportimit të fëmijëve, duke mos vendosur rripin e sigurimit fëmijëve, apo jashtë vendeve të lejuara, duke transportuar më shumë fëmijë sesa i lejohet.
Në këtë kuadër, bazuar në shkeljet e evidentuara, gjatë kësaj jave janë dërguar në OASH, 21 drejtues të këtyre automjeteve për këto lloj shkejles. Policia Rrugore e Tiranës kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e prindërve në këtë drejtim, që ata të mos pranojnë që fëmijët e tyre të transportohen jashtë kushteve teknike duke vënë në rrezik jetën e tyre. Policia Rrugore në të gjitha qytetet dhe njësitë administative në të gjithë vendin do vijojë kontrollin e pandërprerë në këtë drejtim, deri në plotësimin e kushteve teknike për transportin e sigurt të fëmijëve.