Shtatëmbëdhjetë për qind të deputetëve të parlamentit të ri që prodhuan zgjedhjet e 25 Qershorit rezultojnë se kanë ndryshuar gjeneralitetet, janë arrestuar, dënuar apo vetëm hetuar për vepra të ndryshme penale. 24 nga 140 deputetët e Parlamentit aktual kanë ndryshuar gjeneralitetet ose janë akuzuar nga prokuroria, por që në fund, shumica janë shpallur të pafajshëm.
Referuar formularit të dekriminalizimit, deputeti i LSI, Përparim Spahiu, rezulton se është vënë nën akuzë nga prokuroria për konsumimin e veprës penale të goditjes për shkak të detyrës në datë 17.10.2009, por që në 2010 është pushuar procedimi penal. Deputeti i PD në Qarkun e Fierit, Myslim Murri, deklaron se është dënuar me kusht nga Gjykata e Faktit dhe Gjykata e Apelit, por është shpallur i pafajshëm në vitin 2007 nga Gjykata e Lartë. Murri deklaron se është mbajtur në arrest shtëpie për veprën penale të shpërdorimit të detyrë, por në vitin 1995, prokuroria ka pushur çështjen. Deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu, deklaron se është ndaluar nga Prokuroria e Tiranë në vitin 2004, me akuzën për përdorim me keqdashje të thirrjes telefonike, Deputeti sqaron në formular se arrestimi është konsideruar i paligjshëm si dhe është shpallur i pafajshëm më pas nga Gjykata e Tiranës.
Ndërkaq, deputeti i PS, Ismet Beqiraj, rezulton se është ndaluar për 24 orë në komisariatin e Ballshit, para zgjedhjeve të 26 majit 1996, por nuk është proceduar penalisht. Ai është ndaluar edhe dy herë të tjera nga policia në shkurt të vitit 1997, por nuk është proceduar. Ndërsa deputeti i PSD, Tom Doshi, thotë se është dënuar me një vit heqje lirie, në vitin 1990, nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Durrësit, për sjellje të padenjë në shoqëri. Edhe deputeti demokrat, Edi Paloka është dënuar nga Gjykata e Tiranës, me vendim nr 10, datë 12.01.2001, për veprën penale të organizimit të manifestimeve të paligjshme, parashikuar në nenin 262/1. Paloka është arrestuar gjithashtu në flagrancë nga policia, në vitin 2000, për dy vepra penale. Paloka është dënuar në vitin 2015, nga Gjykata e Lartë, për shpifje.
Ndryshimi i gjeneraliteteve
Një pjesë e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë kanë ndryshuar gjeneralitetet, disa për arsye estetike, ndërsa të tjerë për arsye të paqarta. Deputeti i Partisë Demokratike, Qarku Lezhë, Anton Frrokaj, ka ndryshuar gjeneralitetet, ku emri i mëparshëm i tij është Anton Biba. Deputeti i PS në Qarkun e Elbasanit, Anastas Angjeli deklaron se Gjendja Civile i ka ndryshuar ditëlindjen pa dijeninë e tij. Angjeli deklaron se ka lindur në 07.05.1956, ndërsa më parë rezulton me një tjetër datë, konkretisht 06.05.1956. Kreu i PR, Fatmir Mediu, ka ndryshuar mbiemrin. Mbiemri i parë i tij rezulton Mehdihoxha.
Deputeti i PS Nuri Belba rezulton ka ndryshuar emrin nga Nuredin në Nuri. Edhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Qarku Fier, Robert Bitri, ka ndryshuar emrin. Emri i parë i tij është Albert. Deputeti i Partisë Socialiste, Qarku Shkodër, Luan Harusha, ka ndryshuar gjeneralitetet. Emri i mëparshëm i tij është Luan Selmani. Edhe prindërit e kreut të PDIU, Vangjel Dule, i zgjedhur nën siglën e Partisë Demokratike, kanë ndryshuar gjeneralitetet. Babai Jorgji rezulton me emrin Jorgo, ndërsa nëna Jorgjia rezulton me emrin Garufo.
Deputetët që kanë ndryshuar gjeneralitetet dhe akuzat e prokurorisë
Deputeti i LSI në Qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu, i akuzuar nga prokuroria për konsumimin e veprës penale të goditjes për shkak të detyrës në datë 17.10.2009. Më datë 14.01.2010 është vendosur pushimi i procedimit penal.
Deputeti i PD në Qarkun e Fierit, Myslim Murri, i dënuar me kusht nga Gjykata e Faktit, dënimi është konfirmuar nga Gjykata e Apelit, por është shpallur i pafajshëm në vitin 2007 nga Gjykata e Lartë. Murri deklaron masën arrest shtëpie për veprën penale të shpërdorimit të detyrë, por me pas, në vitin 1995, prokuroria ka pushur çështjen.
Prindërit e deputetit të PDIU së Qarkut të Elbasanit, Aqif Rakipi, rezultojnë se kanë ndryshuar gjeneralitetet. Emri i parë i babait rezulton Karaman, ndërsa aktualisht Kahraman. Emri i parë i nënës rezulton Violeta, ndërsa aktualisht Nurije.
Deputeti i PS në Qarkun e Elbasanit, Anastas Angjeli deklaron se Gjendja Civile i ka ndryshuar ditëlindjen pa dijeninë e tij. Angjeli deklaron se ka lindur në 07.05.1956, ndërsa më parë rezulton me një tjetër datë, konkretisht 06.05.1956.
Deputetja e PDIU në Qarkun e Dibrës, Reme Lala, emri i parë i babait Korab, emri i ndryshuar Ymer Lala.
Deputeti i PS, Qarku Durrës, Ilir Ndraxhi, rezulton se mbiemri i parë i tij ka qenë ‘Nraxhi’.
Deputeti i PSD, Tom Doshi, dënuar me një vit heqje lirie, në vitin 1990, nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Durrësit, për sjellje të padenjë në shoqëri. I ndalur me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme, nga data 26.03.2105-28.03.2015, për kallëzim të rremë, deklarata të rreme para prokurorit dhe kanosje për deklarim, caktuar nga Gjykata e Lartë masa arrest me burg dhe më pas detyrim paraqitje.
Deputeti i PS, Blendi Klosi, është hetuar në vitin 1994 për një çështje e cila është pushuar në 11 tetor 1994, pasi nuk kishte vepër penale. Klosi ka sqaruar se kur ka qenë student, ka thyer disa shishe birre me disa shokë.
Deputeti i PD, Edi Paloka, i dënuar nga Gjykata e Lartë, me vendim nr. 8, datë 05.06.2015, për shpifje, parashikuar në nenin 120/2. I dënuar nga Gjykata e Tiranës, me vendim nr 10, datë 12.01.2001, për veprën penale të organizimit të manifestimeve të paligjshme, parashikuar në nenin 262/1. I arrestuar nga Policia e Tiranës në flagrancë, në datën 29.11.2000, me akuzën e parashikuar në nenet 262/1 dhe 236/2 të Kodit Penal.
Kreu i PR, Fatmir Mediu, i cili mori mandatin e deputetit nën siglën e PD, rezulton se ka qenë njëherë nën hetim nga autoritetet e huaja për një ngjarje të vitit 1998 kur ai u hetua për pengim të forcave të policisë në kryerjen e detyrës në Milano të Italisë. Por më pas ka marrë pafajësi nga Gjykata e Lartë. Fatmir Mediu ka ndryshuar edhe mbiemrin, nga Mehdihoxha në Mediu.
Deputeti i PS, Qarku Elbasan, Nuri Belba, rezulton ka ndryshuar emrin nga Nuredin në Nuri.
Deputeti i PS në Qarkun e Elbasanit, Musa Ulqini rezulton se mbiemri i tij i parë ka qenë Dobrovoda.
Deputeti i PS, Qarku Fier, Ismet Beqiraj, është ndaluar për 24 orë në komisariatin e Ballshit, para zgjedhjeve të 26 majit 1996, por nuk është proceduar penalisht. Është ndalur dy herë nga policia në shkurt të vitit 1997, por nuk është proceduar.
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Qarku Fier, Robert Bitri, emri i parë i tij është Albert.
Deputeti i PS, Qarku Korçë, Ilir Xhakolli, emri i mëparshëm i tij është Ilirian Xhako.
Deputeti i Partisë Demokratike, Qarku Lezhë, Anton Frrokaj, ka ndryshuar gjeneralitetet, emri i mëparshëm i tij është Anton Biba.
Deputeti i PS, Qarku Lezhë, Pjerin Ndreu, i ndaluar nga Prokuroria e Tiranë në vitin 2004, për përdorim me keqdashje të thirrjes telefonike, por arrestimi është konsideruar i paligjshëm si dhe është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës.
Deputeti i Partisë Socialiste, Qarku Shkodër, Luan Harusha, ka ndryshuar gjeneralitetet, emri i mëparshëm është Luan Selmani.
Kreu i PDK, Nard Ndoka, i zgjedhur deputet nën siglën e PD në Qarkun e Shkodrës, emri i mëparshëm i tij është Mark Ndokaj.
Deputeti i LSI në Qarkun e Vlorës, Sezai Rokaj, emri i mëparshëm i tij ka qenë Shezai Rrokaj.
Prindërit e kreut të PDIU, Vangjel Dule, i zgjedhur nën siglën e Partisë Demokratike, kanë ndryshuar gjeneralitetet. Babai Jorgji rezulton me emrin Jorgo, ndërsa nëna Jorgjia rezulton me emrin Garufo.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaron një version të emrit të tij të mëparshëm, Lulëzim, emër i cili sipas tij është përdorur gabimisht.
Kryeministri Edi Rama deklaron se deri në datën 27.11.2002 ka mbajtur emrin Edvin.
Ish-kryeministri Sali Berisha, deputet i PD, ka ndërruar datëlindjen dhe kjo nuk figuron të jetë pasqyruar në deklarimin e tij në seksionin gjeneralitete të mëparshme. Berisha ka deklaruar datën e lindjes më 15 tetor 1944, ndërsa në regjistrimin zyrtar të gjendjes civile figuron si datë e lindjes 1 korrik 1944. shqiptarja.com
ma.me