Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në vizitën e realizuar në Prizren, i dorëzoi kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, vendimin e Qeverisë së Kosovës për zhvendosjen e një pjese të MKRS-së në Prizren dhe kërkesën e ministrisë për shqyrtim në Kuvendin Komunal të Prizrenit, për dhënien në shfrytëzim nga ana e MKRS-së, të dy objekteve në Prizren.
Bëhet fjalë për lejimin e shfrytëzimit të objekteve në dy lokacione, të Rektoratit të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, në qendër të qytetit dhe të Internatit (Xhandarmërisë) në lagjen e Terzinjve.
“Ne,… kryetarit ia kemi dorëzuar kërkesën e cila ka të bëjë me hapësirat e Rektoratit të Universitetit, ku kemi pasur biseda edhe me Rektorin, dhe jemi pajtuar që ky objekt t’i jepet në shfrytëzim ministrisë, por sigurisht se vendimin përfundimtar do ta merr komuna.
Dhe objekti i dytë do të jetë ai i Internatit, një objekt nën mbrojtje, por në të cilin duhet të investohet për konservimin, restaurimin dhe adaptimin e tij si objekt për shfrytëzim nga MKRS-ja”, tha ministri Gashi.
Ndërkaq, kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja u shpreh se e mirëpret kërkesën nga ana e MKRS-së por edhe faktin se ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit vjen nga qyteti historik i Prizrenit. “Qyteti i Prizrenit e ka mirëpritur një vendim të këtillë. (b.an)