Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar në rrjetet sociale problemet ekonomike dhe largimin e misionit të FMN nga Shqipëria. Ai thotë se misioni nuk duhet të largohet dhe opozita duhet të bëjë betejë në parlament.
Për të gjithë ndjekësit e politikës, ky qëndrim i Berishës ka çuditur jo pak, pasi të gjithë kujtojnë se si ai largoi misionin vite më parë kur ishte në pushtet. Vendimi aso kohe erdhi pas shumë kritikave lidhur edhe me borxhin e fshehur. Por ja qëndrimi i Berishës sot:
“FMN nuk duhet të largohet! Opozita duhet të marrë masa të forta në këtë drejtim! Është parlamenti, i cili ka ratifikuar marrëveshjen, që duhet të flasë nëse FMN duhet apo nuk duhet të qëndrojë! Një borxh 85% është një gur shumë i rëndë në qafën e ekonomisë shqiptare!”, shkruan ish-kryeministri.
Por mes komentuesve kishte edhe nga ata qytetarë të cilët kujtesa nuk i tradhtoi. Njëri prej tyre i kujtoi Berishës pikërisht vendimin e tij për të larguar FMN-në, vendim i cili u kritikua ashpër nga opozita e atëhershme e cila siç premtoi e riktheu misionin sapo erdhi në pushtet.
Komentues: Po ju pse e larguat sapo erdhët në pushtet FMN zoti Berisha????
Sali Berisha: Unë nuk e përzura, por vet FMN kaloi në marrëveshje sipas artikullit 4, sepse ekonomia kishte rritje dhe borxhi ishte 62,4% e GDP, kurse sot borxhi, se bashku me koncesionet dhe partneritetin publik privat është rreth 85%.
/a.m.