Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në një intervistë për televizionin grek “ERT” shprehet se dialogu me fqinjët do të konkludojë në zgjidhjen e të gjithë çështjeve të mbartura.
Kreu i diplomacisë shqiptare, teksa ka folur pas përfundimit të takimit të dytë ndërministror mes Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë në Selanik, me pjesëmarrjen e ministrave të Jashtëm, të Brendshëm dhe të Energjisë, është shprehur se tashmë janë identifikuar problemet dhe po punohet nga të dyja palët për zgjidhje.
Çështje e ligjit të Luftës së Greqisë me Shqipërinë që nga lufta e dytë botërore, kufiri detar, varrezat për të rënët në luftën e dytë botërore janë pjesë e diskutimit për të marrë rrugën e zgjidhjes.
Bushati nuk ka munguar që të nënvizojë faktin se dhe vajza e tij ka emrin e një perëndeshe greke dhe si kryediplomat e ka të vështirë t’ia shpjegojë çdo herë se përse ka ligj luftë të mbartur që nga lufta e dytë botërore mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Aleksandër Marku: Zoti Ministër, një pyetje rreth samitit, çfarë pritet nga ky Samit në kuadrin e bashkëpunimit të 4 shteteve dhe të 3 ministrive përkatëse që marrin pjesë? Cilat janë përfitimet e palës shqiptare?
Ministri Bushati: Është një takim i dytë katërpalësh mes vendeve në Ballkan të cilat ndajnë interesa të përbashkëta, përveç përkatësisë evropiane. Kanë administruar së bashku momente të vështira në fushën e sigurisë, krizën e refugjatëve, luftën kundër trafiqeve të ndryshme dhe ekstremizmit të dhunshëm. Në këtë moment të dytë jemi duke skicuar disa fusha ku mund të shtrihet më tej bashkëpunimi ynë, një bashkëpunim i cili shpresojmë do të ndihmojë dhe proceset e integrimit evropian, sidomos për Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Kësaj radhe, krahas sfidave të sigurisë, jemi duke diskutuar edhe për bashkëpunimin policor, bashkëpunimin në fushën energjetike, kur dihet se ka projekte të rëndësisë strategjike për sa i përket rrugëve të energjisë dhe kur dihet gjithashtu impakti që ka energjia jo thjesht në fushën e sigurisë, në reduktimin e influencës së aktorëve të tretë në rajonin tonë, por edhe në krijimin e një perspektive dhe horizonti të qartë ekonomik për të gjitha vendet tona.
Të vijmë në takimet tona dypalëshe. Me sa kam mësuar, ju keni pasur një bisedë me homologun tuaj grek Nikos Kotzias. Sot në kafen e mëngjesit me siguri diçka keni biseduar, do të keni edhe me vonë një takim me zotin Kotzias. Cila është radha e temave që do të bisedoni ose keni biseduar? Diçka më konkretisht rreth asaj që është bërë temë e ditës jo vetëm në mediat shqiptare apo edhe në mediat greke për çështjen e pasurive të minoritarëve grekë në Himarë”?
Së pari dua të them që me homologun Kotzias ne jemi në kontakt të vazhdueshëm në një dialog të pandërprerë për sa i përket të gjitha çështjeve që janë vendosur në tryeze. E kam theksuar dhe ritheksuar disa herë që nga shpeshtësia dhe intensiteti i këtij dialogu, ne kemi arritur të kemi një afrim më të madh pikëpamjesh e idesh për mënyrën se si mund të zgjidhim një pjesë të çështjeve tona, sikundër jemi ende larg për disa çështje të tjera. Për sa kohë ne do të jemi në këtë dialog e duhet të vazhdojmë të jemi në këtë dialog, nuk do të ishte fort etike që të dilnim dhe të deklaronim çështjet për të cilat kemi një dakordësi më të madhe dhe çështje për të cilat ndahemi. Për sa i përket çështjes që ju i referoheni, më duhet të them që Shqipëria i zbaton në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë territorin e vet legjislacionin, konventat ndërkombëtare, kushtetutën në lidhje me të drejtat pronësore dhe ka një angazhim specifik ndaj të gjithë shtetasve të vet për zbatimin e standardeve më të larta në këtë fushë.
Keni thënë më para disa ditësh në emision “Top Story” se plani për rinovimin e Himarës do të vazhdojë. E përkthyer kjo në mediat greke do të thotë se shembjet do të vazhdojnë. Ju si e interpretoni?
Unë nuk e di dhe nuk do të dëshiroja në asnjë moment që të interpretoj interpretimet e fjalëve të mia. Nga çfarë unë kam parë në planin jo thjesht për Himarën por për rigjallërimin e jugut të Shqipërisë, nuk ka të bëjë me shembjen e disa ndërtimeve të paligjshme apo me shembjen e disa ndërtesave që më pas do të kompensohen në përputhje me ligjet e shtetit shqiptar, por mbi të gjitha ka të bëj me rigjallërimin, kthimin në identitet të të gjithë zonës së bregut të Shqipërisë, krijimin e mundësive më të mëdha jo vetëm për banorët e zonës por edhe për ata që i kanë lënë shtëpitë e tyre dhe punojnë e jetojnë jashtë Shqipërisë, për ta bërë këtë zonë shumë atraktive për banorët autoktonë por edhe për të gjithë ata që dëshirojnë të vizitojnë bregun e Shqipërisë, që ne e kemi e me një krenari i referohemi shpesh si një nga perlat e vendit tonë. Qeveria shqiptare po investon më fort në atë zonë, po rinovon shtëpi, rrugë, sokaqe, me taksat e të gjithë shqiptarëve. Një përftim i cili nuk është thjesht dhe vetëm për banorët e zonës, por besoj për të gjithë Shqipërinë dhe për ekonominë tonë.
I rikthehem përsëri një deklarate tuajës, përsëri tek i njëjti emision për sa i përket pohimit se marrëveshja për dy varrezat e ushtarëve grekë është vonuar disi për t’u zbatuar nga pala shqiptare. Ka ndonjë zhvillim të ri për sa i përket kësaj marrëveshjeje, sepse është futur në këtë çështje edhe kërkesa e komunitetit çam për ndërtimin e një obelisku në pjesën greke për sa i përket çamëve të rënë gjatë luftës së ’40?
Nuk do të preferoja që t’i ngatërronim çështjet, pavarësisht se logjika pak a shumë mund të jetë e njëjtë. Ka një logjikë sipas të cilës ne duhet të përfundojmë gjendjen e Luftës së Dytë Botërore që ekziston për fat të keq ende në letër midis Shqipërisë dhe Greqisë, e duhet që të merremi me pasojat e kësaj gjendjeje, e kësaj lufte. Edhe marrëveshja që është firmosur nga qeveritë Berisha dhe Karamanlis është një marrëveshje që pavarësisht nuk ka elementët garantistë brenda, për sa kohë nuk është kundërshtuar në rrugë ligjore nga ana e Shqipërisë do të zbatohet.
Ne kemi diskutuar me palën greke në nivel ekspertësh në një komision që drejtohet nga ministria e Mbrojtjes dhe jemi përpjekur për ta detajuar më tej marrëveshjen dhe për ta bërë më garantiste, për sa i përket jo thjeshtë vendprehjes së të rënëve por edhe identifikimit të tyre të numrave që pretendohen, shifrave që pretendohen dhe mundësisë që i gjithë ky proces të hartohet në përputhje me praktikën më të mirë ndërkombëtare. Natyrisht që ne ende nuk kemi mbyllur pasojat e Luftës së Dytë Botërore si për sa i përket gjendjes së luftës, ashtu edhe për sa i përket respektit për komunitetin çam.
Pikërisht për këtë pjesë të komunitetit çam janë ata që Greqia nga ana e saj i konsideron si bashkëpunëtorë të nazistëve…?
Në fakt kjo është sfida edhe e marrëdhënieve ndërkombëtare që shtetet të ndajnë pikëpamje të ndryshme. Por në fund të ditës demokracia është kompromis. Besoj se ne jemi duke punuar që të gjejmë një zgjidhje kompromisi që akomodon pikëpamjet dhe interesat e Shqipërisë dhe Greqisë sepse ky është një proces i vazhdueshëm.
Për sa i përket Marrëdhënies së Detit, në çfarë faze ndodheni?
E kam sqaruar, kemi bërë disa seanca konsultimi me palën greke, kemi hulumtuar gjerësisht praktikën ndërkombëtare. Është një çështje e ndërlikuar. Në Mesdhe ka një zinxhir konfliktesh le të themi, për sa i përket çështjeve të detit, për sa i përket zonës ekskluzive ekonomike, shelfit kontinental. Shqipëria e ka përfunduar një proces të tillë tërësor vetëm me Italinë, një proces të cilin ne dëshirojmë ta konsiderojmë model që mund të jetë udhëpërshkues, udhërrëfyes edhe në rastin e Greqisë, pavarësisht specifikave që ka rasti ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë dhe natyrisht kemi vullnetin për të shkuar drejtë një marrëveshjeje të drejtë, të ndershme siç i takon dy fqinjëve.
Folët përsëri në intervistën tuaj të fundit për një marrëveshje të re, ose më saktë për rinovimin e një marrëveshjeje të paqes dhe të miqësisë me Greqinë sepse marrëveshja ekzistuese e marsit të ’96-s skadon vitin që vjen dhe i vutë notën 8 një marrëveshjeje të ardhshme. Kur pritet kjo marrëveshje?
Aleksandër, më duket se e kam thënë dhe në një nga bashkëbisedimet që kemi pasur me studentët e universitetit të Tiranës me mikun tim Kotzias që, kur ime bijë që ka një emër grek, emër të një perëndeshe greke, Hera, lexon libra që Greqia ka një ligj lufte me Shqipërinë, unë e kam të vështirë t’i përgjigjem në radhë të parë si Ministër i jashtëm, sepse si baba unë mund ta kem një përgjigje gjithnjë, se pse është kjo situatë në shekullin e XXI.
Për të rendur pas një traktati në letër mund të jetë e thjeshtë nga ana jonë, por ne duam që i gjithë ky proces dialogu që fillimisht ka nisur me listimin e të gjitha problematikave në tryezë, pavarësisht këndshikimeve të ndryshme dhe më pas gjetja e zgjidhjeve dhe rrugëve që të çojnë në zgjidhje, për secilën nga këto tema të na shpjerë në rrugë të logjikshme dhe të arsyeshme drejt një traktati të ri të miqësisë që nuk do të ishte thjeshtë fotografimi i këtij realiteti për të cilin sapo fola, por do të projektonte marrëdhënien greko-shqiptare për 10-20 vitet e ardhshme. Kjo sepse ka shumë çështje që ne na lidhin si ekonomia, kultura, arsimi, e shkuara, perspektiva jonë e përbashkët, qëndrimi në të njëjtën tryezë, në NATO dhe qëndrimi nesër në tryezën e BE. Ndaj, besoj se qytetarët e dy vendeve tona meritojnë që përfaqësuesit e tyre të flasin më shumë për perspektivën sesa për kushtëzimet apo bllokimet reciproke që nuk i shërbejnë analizës së fundit dhe marrëdhënieve midis dy fqinjëve. /b.d