Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve u ka kërkuar partive politike që morën pjesë në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, që të dorëzojnë pranë këtij institucioni një raport për deklarimin financiar të fushatës.
Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj u shpreh se, “për herë të parë, partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje kanë detyrimin që 60 ditë nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve të dorëzojnë pranë KQZ-së raport që përmban në mënyrë të saktë të ardhurat e përfituara apo që partia politike ka patur në gjendje, të gjitha shpenzimet e kryera në mënyrë të detajuar, bilancin e pasurive apo detyrimet që ka partia politike, për periudhën nga caktimi i datës së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve”.
Afati ligjor për zbatimin e këtij detyrimi ligjor nga ana e partive politike, sipas saj, ka qenë data 25 shtator 2017. Nisur nga fakti që ky raportim bëhet për herë të parë për zgjedhjet e 25 qershorit 2017, KQZ ka komunikuar në mënyrë intensive me financiarët e partive politike duke ju kërkuar zbatimin e ligjit “Për partitë politike” dhe dorëzimin e raporteve financiare të fushatës zgjedhore.
Deri tani, informon zëdhënësja e KQZ-së, “nga 18 parti politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 25 qershorit, pranë KQZ-së e kanë dorëzuar raportin financiar të fushatës zgjedhore vetëm 8 parti politike. Në zbatim të ligjit “Për partitë politike” i ndryshuar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë masa administrative për partitë politike të cilat kanë shkelur ligjin. Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po punon intensivisht për verifikimin e raporteve të dorëzuara nga partitë politike nëse janë në përputhje me formatin e miratuar nga KQZ”.
“Raportet e dorëzuara pranë KQZ-së, do të publikohen në faqen zyrtare të KQZ-së, cec.org.al, brenda muajit tetor. Zbatimi i ligjit 90/2017 nga subjektet politike është një nga faktorët kryesorë të rritjes së transparencës dhe zbardhjes së financave të partive politike gjatë fushatës zgjedhore, një nga çështjet e trajtuara gjerësisht edhe në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it”, tha zëdhënësja e KQZ.
a.ç