Kryeministri Edi Rama doli para mediave për të bërë publik vendimin e qeverisë për heqjen e një sërë dokumenteve të cilat kërkohen në sportelet e shtetit për qytetarët, për aplikime të ndryshme. Ai kërkoi nga qytetarët të refuzojnë kërkesat e nëpunësve të shtetit kur kërkojnë një sërë dokumentesh që sipas tij duhet të nxirren në kohë reale nga vetë shteti përmes sistemit online.
Duke folur me shifra konkrete rreth dokumenteve për të cilat qytetarët harxhojnë, kohë, energji por edhe para, Rama tha se vetëm çertifikata lëshohen në vit plot 4.5 milionë copë, më shumë se numri i popullsisë. Ai nuk komentoi në lidhje me koston që do ketë kjo për buxhetin e shtetit kur tha se e rëndëishme është të kursehet vuajtja e qytetarëve.
Por nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, rezulton se shteti do të humbasë vetëm nga çertifikata plot 225 milionë lekë të reja në vit. Kjo shifër del nëse kemi parasysh se në vit lëshohen 4.5 mln çertifikata, dhe për secilën prej tyre deri tani paguhej një taksë pulle prej 50 lekësh./a.m.