Një tjetër nismë që do të nisë të vihet në zbatim në kryeqytet do të jetë dhe ajo për policimin në komunitet, ku pranë çdo njësie administrative, do të hapen zyra të posaçme. Bashkia e Tiranës në bashkëpunim dhe me Ministrinë e Brendshme kanë planifikuar që brenda vitit në të gjithë Tiranën të jenë praktikisht 24 komisariate të vogla, duke sjellë më shumë siguri për qytetarët.
“Kemi patur disa biseda me Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe bashkë me të kemi menduar të zbatojmë edhe një ligj tjetër, atë të Policimit në Komunitet. Brenda këtij viti, në çdo njësi administrative do jetë edhe një zyrë e komisariatit të policisë, ku inspektori i zonës nga ora 10 deri në orën 14 do të ketë pritje me popullin, ku mund të jenë administratorët e pallateve që sjellin problematika që janë përtej çfarë mund të zgjidhë, mund të jenë çështje të dhunës në familje, konflikte etj. Unë besoj se në një mënyrë eksponenciale kalojmë nga disa komisariate, praktikisht në 24 komisariate në gjithë Tiranën”, u shpreh Veliaj gjatë ceremonisë ku u shpërndanë 500 licencat e para për administratorët e pallateve. /b.d