Prokurori i Përgjithshëm ka zbuluar arsyen e takimit me Edi Ramën, duke u shprehur se kryeministri ishte interesuar për hetimet mbi gjëndjen gjyqësore të deputetit të PDIU-së Aqif Rakipi.
“Në fokus të takimit ishte diskutimi mbi kërkesën e subjektit politik, Partia Demokratike, lidhur me verifikimin e thelluar në kuadër të ligjit të njohur si “Për Dekriminalizimin”, për deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Aqif Rakipi,” tha Prokuroria nëpërmjet një njoftimi për shtyp, duke nënvizuar që takimi ishte mbajtur me kërkesë të kryeministrit.
“Në takim, z. Llalla shprehu garancitë e plota se Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të kryejë verifikimet e thelluara për të gjitha rastet që do i paraqiten me kërkesë të subjekteve të njohur nga ligji, si edhe me iniciativën e saj, kur informacioni sigurohet nga të dhënat që përpunon institucioni i Prokurorisë,” shtoi organi i akuzës.
Deputeti i PDIU-së Aqif Rakipi, është një nga dy deputetët për të cilët të mërkurën opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike ka kërkuar hetime, duke insistuar se ka dyshime të arsyeshme se kanë të kaluar kriminale.
Një biznesmen në sektorin minierave dhe pasurive natyrore, Rakipi është zgjedhur deputet në dy mandate si pjesë e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU).
Ai mohon në formularin e vetdeklarimit të ketë pasur në të kaluarën probleme me ligjin, ndërkohë që ka jetuar nga viti 1993 deri në vitin 1999 si emigrant në qytetin italian të Milanos.
Kërkesa e Partisë Demokratike bazohet në ligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike,” i njohur gjithashtu si ligji i dekriminalizimit.
Gjatë takimit me Ramën, prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llala theksoi se organi i akuzës po vijon bashkëpunimi me autoritetet e tjera që kanë për detyrë verifikimin paraprak të subjekteve të ligjit “Për Dekriminalizimin”, ku veçoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si institucioni që kryen përpunimin paraprak të personave të zgjedhur në pushtetin qendror dhe lokal. /b.d