Këshilli i Kuvendit të Serbisë për, siç e quan Beogradi Republikën e Kosovës, Kosovën e Metohinë (KeM) nuk kishte sot kuorum për të marrë vendime të ligjshme, raportojnë mediat e Beogradit, transmeton Koha.net.Por, mbledhja në rendin e ditës së të cilës ishte shqyrtimi i situatës në Kosovë e Metohi pas mbështetjes që iu dha nga Lista Serbe qeverisë së re të sapoformuar në Prishtinë, megjithatë është mbajtur.
Deputetët e opozitës shfaqën zemërimin meqë në mbledhje nuk u paraqitën deputetët e pushtetit qeverisës, drejtori i Zyrës për KeM, Marko Gjuriq, si dhe deputetët e Listës Serbe.
Ata kërkuan nga kryetari i Këshillit, Millovan Drecun shtyrjen e mbledhjes dhe caktimin e së resë, dhe që në atë të ftohen të gjithë faktorët relevantë që kanë ndikuar në vendimin që Lista Serbe të mbështesë Qeverinë e Kosovës.
Deputeti i SRS0së Milan Damjanoviq mori dy vërejtje, meqë Drecunit ia dorëzoi flamurin e shtetit të, siç citohet të ketë thënë, vetëshpallur të Kosovës, duke e porositur që t’ia përcjell drejtorit të Zyrës për KeM, Marko Gjuriqit.
“Merreni, hidheni këtë “, ia ka kthyer Drecun, e pastaj ia ka shqiptuar vërejtjen.
“Ia shqiptoj vërejtjen për shkak të fyerjes së kryetarit të Këshillit dhe të cenimit të dinjitetit të Parlamentit”, ia ka thënë Drecun Damjanoviqit, i cili ia ka kthyer se edhe ai atij ia shqipton vërejtjen sepse po bën politikë tradhtie.
“Shqiptoni sa të doni, juve do t’ju gjykojë populli serb, po bëni politikë tradhtie, po mbështetni Ramush Haradinajn dhe Hashim Thaçin”, tha Damjanoviq.
Ai tha se pushteti nuk ka argumente të debatojë rreth temave që janë në rend të ditës dhe ka shtuar se po mashtron qytetarët duke u mbështetur në Rezolutën 1244, që është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit.
Siç është shprehur, deputetët e Listës Serbe që janë zgjedhur në Parlamentin e Kosovës dhe që marrin pjesë në qeveri nuk kanë bërë betimin para organeve të përkohshme, por para shtetit të vetëquajtur të Kosovës.
Sllavisha Ristiq i ka thënë Drecunit se duhet t’i ftojë ata që mund të japin përgjigje në pyetjen pse po krijohet qeveria me lëvizjen separatiste në Prishtinë.(b.an)