Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, kërkon nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të flasë për gjithçka di dhe me emra konkretë, sa i përket lidhjes së krimit me politikën në Shqipëri.
Fatos Klosi: Ambasadori mund të ishte shtyrë edhe një çikë më shumë. Ai ka informacionin e duhur për të folur, Ai e ka informacionin që në kohën time, kur unë drejtoja SHISH-in, dhe e dija që aleatët tanë kryesorë dinë gjithçka. Është fjalë shumë e madhe, e unë s’dua ta pranoj që e gjithë qeveria është e lidhur me krimin, apo e gjithë politika është e lidhur me krimin. Kjo është absurde dhe e papranueshme.
Sa i përket grupeve kriminale që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vend, Klosi thotë se ka me dhjetra, por nuk mund të paralelizohen me familje mafioze.
Fatos Klosi: Njerëzit me “mafie” nënkuptojnë atë që kanë parë në filmat e Hollivoodit, për familjet italo-amerikane të krimit. Gjëra të tilla në Shqipëri nuk ka. Mund t’i vëmë një emër tjetër si “Kriminale” familje që mbahen me krimin. A ka 20 familje që mbahen dhe janë të lidhura me krimin? Ka edhe më shumë, sigurisht, edhe më shumë.
Lidhur me situatën e kriminalitetit në vend, për Klosin ajo është e rëndë dhe e vështirë, sakohë që numri i vrasjeve mes grupeve kriminale është në rritje.
Fatos Klosi: E vështirë është përsa kohë që përditë po dëgjojmë për vrasje. Janë vrasje midis klaneve dhe të gjitha këto tregojnë se krimi po punon.
Ndërsa sa i përket zërave se në Shqipëri mund të vërshojnë ekspertë të FBI, për të vënë nën kontroll situatën, Klosi thotë se kjo është e pamundur.
Fatos Klosi: Nuk do të ndodhë ndonjëherë, pasi nuk ka ndodhur ndonjëherë që situatën e luftës kundër krimit mund ta marrin në dorë të huajt. Është absurde. Unë kam dëgjuar se kanë ardhur apo do të vijnë ekspertë që do merren me implementimin e Vettingut. Por jo që do të luftojnë krimin në Shqipëri. Nuk e bëjnë dot edhe sikur të vijnë.
Për ish kreun e SHISH, procesi i Vettingut është një proces që do të realizohet, kjo falë insistimit të faktorit ndërkombëtar.
Fatos Klosi: Unë kam besim se do bëhet Vettingu dhe reforma rrënjësore në sistemin e drejtësisë. Besoj sepse është hera e parë që shoh një impenjim shumë shumë të rëndësishëm të aleatëve të Shqipërisë, qoftë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.Ambasadori i SHBA, Donald Lu, këtë të hënë bëri akuza të forta në lidhje me bandat kriminale, që veprojnë në vendin tonë, teksa deklaroi se drejtuesit e krimit rrallë arrestohen dhe pothuajse kurrë nuk ndiqen penalisht./Oranews
a.ç