I riu që u bëri rezistencë forcave “Shqiponja”, dy ditë më parë në Tiranë, dyshohet se po përgatitej për të kryer ndonjë krim të mundshëm.
Burime nga Policia thanë se 25-vjeçari Bruno Kurti, tashmë i arrestuar, ka qenë i dënuar edhe dy herë më parë, për drogë dhe plagosje.
Ndërsa fakti që iu sekuestrua një pistoletë dhe një silenciator, mes dhjetëra objekteve të jashtëligjshme, ngre dyshime se po përgatitej për kryerjen e ndonjë krimi të rëndë.
Edhe pse vetë i arrestuari nuk ka pranuar të japë shpjegime për armën që iu gjet me vete, Policia ka nisur hetimet për të zbuluar arsyen përse ai lëvizte i armatosur. Ai u arrestua dy ditë më parë, teksa po lëvizte me një motor pa letra përgjatë rrugës “Bardhyl” shkruan Panorama.
Shërbimet e Njësisë “Shqiponja” dhe “Shigjeta” iu vunë pas, ndërsa ai tentoi të përplaste edhe motorët e Policisë në tentativë për t’i shpëtuar arrestimit. Më pas ishte skuadra “Shigjetat” që ka bërë të mundur arrestimin e të riut.
Gjatë kontrollit fizik, 25-vjeçarit iu gjet një armë zjarri “Brouing” dhe një krehër me fishekë. Pas kësaj, Policia ushtroi edhe një kontroll në banesën e tij, ku gjeti edhe një silenciator, si dhe një palë dylbi, 21 copë fishekë, 5 telefona, një qese farmacie me hashash, dy thika, një shkop gome etj. Ndaj 25-vjeçarit Bruno Kurti u ngritën 4 akuza.
Materialet u referuan në prokurori për “kundërshtim i punonjësit të rendit publik”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta”, “prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.
Ndërsa burimet thanë se Bruno Kurti mund të jetë i përfshirë në disa ngjarje kriminale që kanë ndodhur në kryeqytet kohët e fundit.
Aktualisht, hetimet për të riun vazhdojnë nga ana e Policisë për të zbuluar se për çfarë krimi po përgatitej./a.m.