“Gramoz Ruçi po e drejton shumë keq Kuvendin. Për të njëjtën çështje dhe mënyrë funksionimi penalizon deputët e opozitës dhe favorizon deputetët e mazhorancës. Bën lëshime për PS dhe penalizon deputetët tanë”.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Edmond Spaho, ka hedhur idenë se forca partia e tij mund t’i rikthehet bojkotit të Kuvendit në rast se e sheh veten ngushtë përballë mënyrës sesi Ruçi e drejton këtë institucion. Ai akuzoi dje kryetarin e kuvendit lidhur me mënyrën sesi ai po funksionon në krye të këtij Kuvendi. I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Spaho tha se kulmin ai e arriti duke i ndëprerë fjalën Berishës.
“Unë nuk po diskutoj fare minutazhin për zotin Berisha, por që të ndëpresin fjalën kur ai tha ‘më lejoni të mbaroj vetëm mendimin’, kjo është e papranueshme” – tha Spaho.
Ai shtoi se nëse është për zbatimin e rregullores, Ruçi duhet të kishte kurajon ti ndërpriste fjalën edhe kryeministrit Rama, që në shumë raste ndërron temën e diskutimit.
Numër një i Grupit Parlamentar të PD dha edhe një rast tjetër që sipas tij përbën shkelje të rregullores nga ana e Ruçit. Sipas Saphos kjo ka ndodhur edhe në rastin kur kryetari i grupit të PS, Taulant Balla, mungonte në sallë dhe në vend që të vijonin fjalimet sipas radhës me deputetët e PD, Ruçi ua dha fjalën deputetëve të PS.
Nisur nga kjo Spaho deklaroi se shumë shpejt grupi do të hartojë një strategji lidhur me këtë situatë.
“Nuk është çudi që ne të ndërmarrim të gjitha nismat që na mundëson rregullorja e Kuvendit, që shkojnë deri në bojkot” – tha ai. Spaho tha se dy janë shtyllat kryesore të veprimtarisë së PD në këto momente: Analiza për humbjen e zgjedheve dhe Reforma Zgjedhore që sipas tij do t’i japë fund shitblerjes së votës dhe abuzimeve. /JavaNews/b.d