Referendumi i pavarësisë në Katalunjë rrëshqiti shumë shpejt në kaos, pas mësymjes së qendrave të votimit nga policia, e përleshjeve të dhunshme me njerëzit e mbledhur përpara tyre.
Raportohet se më shumë se 300 persona u plagosën në përleshjet me policinë.
Mediat raportojnë se forcat e dërguara nga Madridi kanë hyrë me forcë në një nga qendrat e votimit në Girona.
Ata shihen tek thyejnë xhamin e derës kryesore të shkollës e cila po shërbente si qendër votimi të Sant Julià de Ramis.
Më pas forcat policore vazhdojnë një kontroll të dhunshëm në ambientet e shkollës ndërkohë që votuesit, shumica e të cilëve mendohet ta kenë kaluar natës aty, fillojnë të bërtasin në kor.
Zyrtarët spanjoll urdhëruan policinë që të mbyllin shkollat në rajon, të cilat ishin të përgatitura si vendvotime, e që janë planifikuar të hapen në mëngjes të ditës së sotme.
Madridi zyrtar ishte zotuar ta bllokonte votimin e shpallur të paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese e vendit, e duket i vendosur ta vërë në jetë me çdo kusht angazhimin e tij. Për këtë arsye, Garda Civile ka mësyrë qendrën e IT- se qeverise rajonale, duke sekuestruar sistemin elektronik të votave.
Katalunja e pasur, me 7.5 milionë banorë, ka gjuhën dhe kulturën e vet, si dhe një nivel të lartë autonomie, por në bazë të Kushtetutës spanjolle nuk njihet si komb më vete. Përpara se të çeleshin qendrat e votimit, qeveria katalanase i kishte sqaruar zgjedhësit se mund t’i printonin vet fletët e votimit që përmbanin vetëm një pyetje, e se mund t’i hidhnin në çdo qendër tjetër nëqoftëse do të mbyllej ajo që u ishte paracaktuar.
Shumë përkrahës të referendumit kanë fjetur dhe qëndruar në shkolla, për të mbajtur vendet e hapura deri në fillim të votimit.