Nga Laura Musa
Kjo është një nga dilemat tona më të mëdha. Nga njëra anë dashuria për mikun/miqtë me katër këmbë të njeriut dhe nga ana tjetër pushimet që thërrasin fort e ethshëm bashkë me rritjen e temperaturave. Ikim, duam të ikim, por nuk mundemi sepse lemë një copë shpirt pas. E keni parasysh atë vështrimin gati njerëzor të kafshës shtëpiake që jemi të detyruar ta lemë në shtëpi? E keni parasysh makthin dhe ankthin sesi është, sesi na pret dhe si do ta gjejmë në rikthim? Në shumë destinacione turistike, brenda apo jashtë vendit ne e kemi të ndaluar të shoqërohemi nga kafshët tona shtëpiake. Megjithatë, një zgjidhje gjendet gjithmonë. Një zgjidhje e cila është një gërshetim mes asaj që urdhëron dashuria dhe asaj që këshillon shkenca.
Nëse vendosim që ta marrim mikun tonë me katër këmbë me vete duhet të japim disa përgjigje më parë. I pëlqejnë udhëtimet? Si i ka marrëdhëniet me kafshët e tjera, është miqësor me ta, po me njerëzit? Eshtë i afrueshëm apo agresiv? Sepse ka disa momente që na ndalojmë të bëjmë atë që do të donim me gjithë shpirt: nisjen e pushimeve pa u ndarë nga kafsha jonë e preferuar. Kështu ne nuk duhet të nisim një aventurë të tillë nëse qeni ynë është shumë i vogël në moshë apo shumë i vjetër. Nëse është shtatzanë apo është sëmurë. Nëse është i pabindur apo është në muajin që ka ëndje për marrëdhënie seksuale.
Dhe nëse shumica e këtyre pyetjeve është pozitive, bashkë me qenin duhet të shkojmë tek veterineri, njeriu që njeh gjuhën e kafshës dhe që na mëson se të duash kafshët, do të thotë se mëson të duash edhe më shumë njerëzit.
Veterineri do të na ndalonte që të udhëtonim me qenin nëse ai është në fazën postoperatore. Ai do të na shpjegonte edhe rëndësinë që qeni të mos ketë parazitë dhe do të na garantojë vaksinimin sipas kalendarit të duhur. Disa vende kanë programe të ndryshme vaksinimi nga Shqipëria. Po kështu, sot është e mundur dhe vendosja e një mikroçipi në trupin e qenit, çka do të ndihmonte që ai të mos humbasë në një qytet të huaj dhe që ai nuk e njeh.
Edhe pse ngjan si diçka e tepërt, ne duhet të jemi shumë të sigurt për kushtet e motit aty ku shkojmë. Diferencat në temperaturë ndikojnë direkt në “humorin” e mikut tonë me katër këmbë, njëlloj siç bën me ne një ditë shiu kur jemi nisur me diell nga Tirana.
Kush niset me pushime e di që kur të hapë valixhen e tij mbasi te mbërrijë në destinacion, do të zbulojë se i mungojë në mos një gjë, një gjë tjetër. Por në valixhen e qenit nuk duhet të mungojnë për asnjë arsye furça, krëhëri, medikamente të ndryshme, veshje, ujë i freskët, shampo, ushqim dhe lodrat e preferuara të tij me të cilat ai është mësuar.
Eshtë shumë e rëndësishme që në vendin ku shkojmë, të kemi numrin e telefonit dhe adresën e një veterineri; një gjë që më shumë se qenit, në këtë rast shërben për të qenë ne psikologjikisht më të qetë.
Duhet të jemi shumë të kujdesshëm të shohim nëse ka ndryshim rutina e sjelljes së qenit në zakonet e tij më të përgjithshme.
Kur jeni në udhëtim është mirë që qeni të ndodhet në një pozicion që ta kemi para syve. Mënyra më e mirë dhe më e rekomandueshme është që ata të qëndrojnë në sediljen e pasme të makinës, në ulësen e tyre në mënyrë që të jenë të palëvizhëm.
Rekomandohet që gjatë udhëtimit të ushqehen lehtë, deri në një të tretën e ushqimit që konsumon zakonisht. Dhe të paktën gjashtë orë para nisjes nuk duhet të ushqehet. Pjesa tjetër i duhet dhënë në mbrëmje ose mbas mbërritjes në destinacion.
Eshtë jashtëzakonisht e rëndësishme që në asnjë rrethanë qeni të mos lihet i mbyllur në një makinë të parkuar. Kur temperatura e ambientit është, për të marrë një shembull, 22 gradë celcius, për dhjetë minuta brenda në makinë ajo rritet me dhjetë gradë dhe për një orë mund të shkojë dhe 47 gradë celcius. Në raste të tilla ju rrezikoni goditje fatale për qenin. Po e njëjta logjikë shërben edhe nëse bëhet fjalë për dimrin.
Shumëkush parapëlqen që ndërsa udhëton, ta lerë qenin me kokë jashtë dritares. Por ky është një pozicion gjithashtu i rrezikshëm sepse me gjasë shkaktohen probleme të rënda me frymëmarjen e tij nga forca e erës ose nga objekte që mund të përplasen me të.
Nëse arrini deri në plazh mos pandehni se mbaroi kujdesi juaj për mikun që keni marrë me vete. Ju duhet ta nxirrni në breg të detit vetëm në mëngjez herët dhe mbasdite vonë. Dhe nuk duhet ta humbim në asnjë çast nga sytë.
Ka dhe një detaj tjetër nga më të rëndësishmit, i fundit, por jo i fundit për nga pesha që ka në marrëdhënien me mikun tonë me katër këmbë. I afroni gjithmonë dashuri. Mos i nxirrni nervat dhe stresin tuaj mbi të; shpesh ai sillet si një qënie njerëzore që ka nevojë për dashuri dhe e rikthen atë dashuri tek ne duke na bërë më njerëzorë.