Veliaj sërish me autobuz në Tiranë, inspekton shërbimin
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka prezantuar sot pasdite para stafit dhe banorëve të zonës, administratoren e Njësisë 7, Gjinovefa Kadria.
Për të shkuar në zyrat e Njësisë 7, ai ka udhëtuar me një tjetër linjë të transportit publike, ku ka bërë dhe inspektimin e radhës të shërbimit që ofrohet nga operatorët privat. I shoqëruar edhe nga kreu i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, Veliaj ka udhëtuar me linjën urbane Kinostudio-Kombinat, duke hipur në stacionin e sheshit “Skëndërbej” dhe për zbritur në stacionin e “21 dhjetorit”.
Në fjalën e mbajtur gjatë këtij prezantimi, Veliaj ka kërkuar nga administratorja e kësaj Njësie që të mbajë hapin e bashkisë qendrore për të gjitha çështjet e emergjencës të cilat ajo me sugjerimet edhe të qytetarëve ka zgjedhur për tu ndjekur e trajtuar me përparësi. Një prej këtyre çështjeve, Veliaj ka theksuar, se mbetet aksioni për pastrimin e qytetit, për të cilin ai ka kërkuar që administratorët duhet ta ndjekin nga afër.
“Gjithsecili prej jush të jetë syri dhe veshi ynë në terren për të inspektuar që kompanitë e pastrimit të fillojnë të kryejnë të gjithë procesin për tu siguruar që i gjithë territor të jetë nën kontrollin e pastrimit. Dua që gjatë këtij muaji të parë ata që paguhen për të pastruar të bëjnë pastrimin”, tha Veliaj në fjalën e vet.
Më tej ai ka theksuar se do të kërkojë nga të gjithë administratorët që të bëjnë një program pune për inspektimin edhe të gjitha punimeve që do bëhet në kuadër të përgatitjeve për vitin e ri shkollor që nis në shtator.
“Duam gjithashtu që në bashkëpunim me administratorët të kemi një grafik të inspektim të çdo shkolle, çdo kopshti dhe çdo çerdhe, për tu siguruar që mesi i shtatorit ti gjejë të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet në një situatë shumë më dinjitoze”, u shpreh Veliaj.
Pjesë e porosisë së kryetarit të bashkisë ishte dhe bërja e një inventari për të gjitha asetet publike të zonës. Për këtë ai ka siguruar administratoren e zonës se do të ketë bashkëpunimin e plotë të Policisë Bashkiake në mbrojtjen e pronës publike.
“Kam shumë pritshmëri të larta dhe duhet të jeni ju të parët që të na njoftoni për çdo ndërtim pa leje dhe çdo objekt që nuk respekton kriteret”, u shpreh më tej Veliaj.
Ai gjithashtu ka paralajmëruar se gjatë muajit gusht bashkia do të ndërmarr disa aksione për lirimin e trotuareve dhe hapësirave publike, si nga tregtarët ambulant ashtu edhe nga parkingjet pa leje.