I jep pikë maksimale si shkrimtar, por pikë minus si burrë. 57 vjeçrja Lumturi Kodra që u bë e njohur në përballjen e saj në “Shihemi në gjyq” me ish-të dashurin prej një viti e tre muaj, shkrimtarin Amadeo Baçi, rrëfen jetën e re pas lëndimit nga kjo lidhje romantike, ku thotë se u ndje e mashtruar sepse i rrëmbeu 7 milionë lekë të dokumentuara.
Kur të përmendin emrin Amadeo Baçi çfarë të vjen në mendje të thuash?
Ai ka ngritur kështjellën e letërsise gjigande, por me gratë sillet si një engjëll që i bën të dashurohen vetëm që të investojnë për letërsine e tij. Unë e kam thënë qe ndihem e mashtruar nga ai sepse më kërkonte para çdo muaj duke më thënë se do të m’i kthente… Unë nuk isha e pasur që t’ia falja lekët atij.
Si po shkon jeta jote pasi rrëfeve historinë zhgënjyese të dashurisë në programin e “E diela shqiptare”?
Po mundohem të gjej ekuilibrin që e humba, sepse nuk ishte e lehtë të dilja hapur para publikut shqiptar dhe mediave. Do të duhet kohë e gjatë të shërohen këto trauma që m’u shkaktuan për një histori dashurie.
Kush ishte Amadeo kur ishit mirë bashkë, dhe kush është tani pas ndarjes konfliktuale?
Ai ishte një i dashur që shumë mirë mund ta mbaja të fshehtë por mënyra se si më mori zemrën, se si ma dha e ma ushqeu këtë dashuri dhe në fund ma mori e më goditi shumë keq. U ndjeva e përdorur nga ana e tij. Amedeo është një shkrimtar i madh, dhe pikërisht ato saga romanore më bënë t’i jetoja me intensivitet e të hyja në botën e personazhit. U dashurova në fillim pas romancave të tij, pastaj pas botës së tij. Mendova se do të kishte një përputhje paraleel, por në të vërtetë nuk ndodhi kështu.
Ti po e quan “i dashur” por ai e mohoi në ekran që keni pasur marrëdhënie intime…
Natyrisht, për pozicionin që ka ai dhe autoritetin për punën që ka bërë do ta mohojë. Por nuk ka problem, shpirti im është i pastër, kam shumë dëshmitarë dhe pse kjo nuk mjafton! Atij nuk ia mori mendja që unë do të dilja hapur, kurse unë po ta kisha kuptuar shpejt lojën e tij nuk do kishte arritur puna deri këtu. Di të them që për të vërtetat e mia që do të më shoqërojnë gjithë jetën u prisha me familjen time. Unë u besova verbërisht fjalëve të tij me emrin dashuri që është gjëja më e bukur në botë.
Publiku i “Shihemi në gjyq” fiksoi konflikin mes teje dhe vajzës 20 vjeçare për Amadeon. Çfarë di për të?
Po, e ka dashnore sekrete, e mban të fshehtë por jeton me të pasi ai gjuan jetimet e gratë pa burra, sepse të martuarat i hapin probleme. Vajzat e reja çmenden pas romaneve, por jeta nuk është roman. Atij i intereson kush investon për letërsinë. Duajeni bashkë me letersinë, por mos u dashuroni siç bëra unë se do të pësoni vetëm zhgënjim. Mos jepni portofolin, siç bëra unë sepse ai është magji. Po të keni para me thasë mund t’ia jepni.
Çfarë momentesh të bukura kujton nga lidhja juaj?
Ai ka shpirt të bukur, dashuron letërsinë por gratë nuk i ka dashur dhe s’do t’i dojë kurrë. Ai i bën femrat të dashurohen deri atje sa të pastrojnë portofolin, dhe pastaj u premton dashurinë e përjeteshme, por kjo nuk është aspak e drejtë. Pas kësaj që më ndodhi doja ta kisha një mik shumë të mirë. As këtë nuk e pranoi duke më mbyllur dyert e gjithçkaje. E vetëm për pesë minuta sqarim që kërkova prej tij u bë gjithë ky boom, sikur të kishte plasur një bombë. Duhej evituar me siguri! Në vetvete është i bindur që i ka bërë këto, por nuk donte të dilte në skenë.
Pate pasoja pasi u përballe hapur në televizion me të?
Humba familjen time e që prej dy muajsh nuk kam kontakt me asnjë. Kam humbur qetësinë shpirtërore, por gjëja që më shqetëson më shumë është se ai fut persona që po më sulmojnë në rjetet sociale, me porno e fjalë të pista. Janë edhe farefisi i tij mendoj që ndjekin intervistat e mia… Ai është pak katil, pasi kur nuk i shkojnë gjërat si do ai të sulmon, të shan, të poshtëron. Ai përfitoi nga sinqeriteti im dhe unë një gjë nuk ia fal vetes që abuzova me xhepin tim, pra të dokumentuara 700 mijë të reja, pra 7 milionë. Të mos flasim për udhëtimet lart e poshtë, e dhuratat që i bëja atij dhe të dashurës së tij reale, pra studentes 20 vjeçare. Pra 1 vit e 3 muaj bashkë duke udhëtuar mes Shqipërisë dhe Italisë.
Çfarë dhurate të ka bërë ty?
Një palë syze dielli të tijat i kam dhuratë, sepse ia kërkova si kujtim. Por kur e njoha nuk kishte kushte jetese, pasi rrija me ditë të tëra në shtëpinë e tij fshehur familjes.Ai nëqoftëse do të ketë në xhep 100 Euro, 1 për qind do të blejë bukë dhe 99 për qind do i japë letërsisë dhe për këtë e adhuroj!
Sa netë dashuri kujton si të veçanta?
Ai rrinte me javë të tera tek unë në Itali pasi unë jetoj vetëm, dhe mundohej të më dhuronte dashuri pa fund. Ishte dhe është romantik, por po të vesh në kandar gruan dhe letërsinë ai anon 100 për qind nga letërsia.
Je shprehur se kjo histori të ka frymëzuar për ta kthyer në art. Për çfarë projektesh po punon?
Sapo kam përfunduar këngën këngën e re me titull “Kur mposhtet dhimbja”, që publikohet në shtator, në bashkëpunim me dy studentë të Akademisë së Arteve të Bukura. Por dua të theksoj se historinë më të bukur të jetës sime prej një viti e tre muaj, po e pasqyroj në një telenovelë që do të dalë së shpejti për publikun shqiptar, ku ka aq dashuri por edhe dhimbje deri në kockë. Po shkruaj romanin e jetës sime, dhe do pozoj për kalendarin tim pak seksi. Nëse shitet paratë do ua dhuroj jetimeve, mikeve të mia të Korçës ku u rrita. Kam ëndrra për jetë, më quani të çmendur po deshët unë kjo jam!