Nga Kiço Blushi
Këto ditë i ashtuquajturi “kazan mediatik” ka hedhur në qarkullim një listë deputetësh pasunarë, të cilët qenkëshin të detyruar “të heqin dorë” nga bizneset e tyre për shkak të ligjit për konflikt interesi.
E thonjëzova shprehjen të heqin dorë, pasi besoj se jo vetëm ideatori dhe mëkonjësi i “kazanit”, kryeministri Rama, por edhe komisionerët e autoritetit ligjor të ILKPD-së, edhe ne votuesit e zakontë, nuk jemi të prirur të besojmë se biznesmenët tanë të nderuar po braktisin përnjëmend biznesin për hatrin tonë, për t’i dhënë ndihmesën e tyre të çmuar, pas zhvillimit të ekonomisë, edhe pushtetit legjislativ, duke u bërë deputetë…
A thua të jetë ky motivi, qëllimi dhe kuptimi që i shtyn ata të lenë bizneset e të merren me politikë?
***
Fakti që nuk flasin kurrë në Kuvend, që nuk luajnë asnjë rol me peshë, që nuk ligjërojnë nëpër debate, që nuk kundërshtojnë e nuk bëjnë oponencë, që qëndrojnë në hije, përveçse vërteton aftësitë e tyre të vobekta intelektuale, dëshmon edhe për të kuptuar se këta “legjislativë” kënaqen me favoret e imunitetit e të qënit deputet, mjaft të lobojnë për të përfituar tenderë e koncesione, daha më mirë po të punojnë nën rrogoz për të miratuar ligje në dobi të bizneseve të tyre… Pa i vrarë ndërgjegjja (si shpërblim i futjes në listë), biznes-politikanët i lejojnë kryetarët përkatës të partive t’i përdorin si vegla qorre, si numra rendorë, si banka financiare informale, ose në rast nevoje, edhe si kobure për të trembur, rekrutuar a klientizuar “armiqtë” e kryetarit…
Gjysmë injorantët – thotë Fishta – janë më të dëmshëm, rrjedhimisht edhe më të rrejshëm, pse jo edhe më të rrezikshëm se analfabetët e mirëfilltë, jo “funksionalë”. Aq më zi kur pasunarët janë të pajisur edhe me pushtet politik, edhe me disa diploma të blera të shtuara në CV-të, falë të cilave shpresohet se do t’u dhurojnë më shumë fuqi, nder e lavdi se makinat e blinduara, se sekretaret e hijshme dhe llogaritë bankare… Mjafton të shohësh fotot e deputetëve të parë në shekullin e kaluar e t’i krahasosh me të sotmit, formimin e tyre arsimor e kulturor, e kupton se sa teposhtë ka shkuar degradimi.
Habia nuk habit më kërkënd kur shohim pasunarët-deputetë, ca ish-të fortë të provincave më të thella, ca ish-policë dhe ca ish- askushë, që pranojnë me dëshirë të shfytyrohen para opinionit publik, – për hir të nepsit për më shumë lavdi, – teksa bien në kontrast jo vetëm me ish-deputetët e kohës së Zogut (Luigj Gurakuqi, Fishta, Noli…), por edhe me analfabetët e varfër e pa emër, që nuk e shesin e nuk e këmbejnë dinjitetin e tyre për të shpëlarë e tjetërsuar emrin dhe mbiemrin, origjinën dhe fukarallëkun. Kjo është dukuria më e prekshme dhe më trishtuese që provon se tek ne sistemi demokratik i përzgjedhjes së përfaqësuesve, i votimit dhe i emërimit nuk funksionon, por po degradon qëllimisht nga viti në vit. Të dyja partitë e mëdha, kriter vlerësimi kanë mediokritetin. Kryetarët ndjehen më të sigurt me oborrtarë pa dinjitet, lapërdharë, mediokër. Nuk ka statut partie që e riparon këtë model vlerësimi.
Në legjislaturën e kaluar, disa deputetë-biznesmenë përfunduan gjyqeve e burgjeve, për shkak të nepsit për një mandat deputeti, gjë që e detyroi Prokurorinë t’u hapte “dosjet” e së kaluarës së tyre kriminale, duke humbur edhe mandatin, edhe lirinë, edhe bizneset, edhe emrin “e nderuar” si sipërmarrës krahine… Afërmendsh, po të mos kishin ngulmuar të bëheshin deputetë, sot e kësaj dite ata do të ishin “mbi kalin” e suksesit… Por ky pësim nuk u bë mësim në këtë legjislaturë. Edhe në këtë Kuvend ka sosh që mjaft të hapin gojën, mjaft të artikulojnë disa fraza për të kuptuar nivelin, kulturën dhe formimin e tyre intelektual.
Gjuha e tyre e drunjtë është tradhtari i tyre i pamëshirshëm. Gjuha e fjalës dhe gjuha e trupit nuk manipulohen dot, nuk merren dot hua, nuk blihen me para…. Mjafton një frazë, edhe pa iu parë portretin, edhe po t’ua shkruajë fjalimin një analist për të kuptuar se biznes-politikanët tanë nuk kanë kulturë, se janë gjysmë analfabetë të veshur firmato që politikën e quajnë biznesin më të favorshëm.
Nuk ka nevojë për testim që të kuptohet se ka syresh që nuk kanë lexuar një libër, rrezik që nuk dinë të shkruajnë as emrin e tyre pa gabime… Kjo do të thotë se ata nuk po vetësakrifikohen për të mirën e shoqërisë, për patriotizëm, për idealizëm, aq më pak për partitizëm… Askush nuk e beson se po heqin dorë “me vullnet të lirë” nga pasuria, nga kompanitë, nga pushteti i të gjitha pushteteve, nga fuqia absolute dhe mrekullibërëse e parasë, për të ndriçuar e prosperuar shoqërinë (pasi një veprimtari e tillë do të lypte kulturë e dije…). Ca më pak për të përfituar një rrogë mujore nga mandati i deputetit…
Nuk mund të mohohet që ky xhins ambiciozësh të demokracisë sonë deledash nuk janë të zgjuar natyralisht. Përndryshe nuk do të kishin pasur arritje në biznes, nuk do të ishin bërë aq të pasur… Por ky arsyetim nuk e shmang dot pyetjen: Si shpjegohet atëherë që ata nuk e kuptojnë se, duke u bërë politikanë, deputetë, njerëz publikë do të jenë të detyruar të hapin gojën, të shfaqen të çfarë janë realisht, dmth të shpallin hapur mangësitë e vobektësitë e tyre intelektuale e kulturore?
Nuk është vetëm dehja me veten, deliri, pasurimi i shpejtë që i verbon e i shtyn të harrojnë ata thënien e urtë se, më mirë të jesh i pari në katund, se i fundit, apo, ca më zi, i përqeshuri e i talluri i kryeqytetit, por edhe tahmaja…
***
Është provuar tashmë se dukuria e rëndomtë e shndërrimit “të suksesshëm” të politikanit në biznesmen dhe anasjelltas, është një medalje me dy faqe, tejet e lakmuar për anonimët e kompleksuar, për analfabetët funksionalë ballkanikë. Njëra dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën, dmth të kaluarën e errët… Deputetllëku është njëkohësisht një veprimtari tejet dobisjellëse, si moralisht e materialisht. Moralisht, pasi miliarderët tanë e kanë provuar tashmë se trafikimi është mjeti më i suksesshëm (dhe i vetëm) në këtë lloj kapitalizmi pa rregulla e pa ligje, por kur trafikimi përdoret edhe në politikë, do të të shumëfishohen të ardhurat materiale bashkë me ato intelektuale… Që do të thotë: nuk je vetëm i pasur, por edhe i ditur, i shquar, i famshëm!
Ata kanë filluar të besojnë se nuk mjafton vetëm paraja për të qenë i sigurt, “i plotësuar”, i përjetshëm, i plotfuqishëm dhe domosdo edhe i paprekshëm në rang lokal e kombëtar (mundësisht edhe ndërkombëtar), por duhet të hedhësh edhe këmbën tjetër në politikë, për të zaptuar historinë, për t’u stamposur në lavdi, për t’u pranuar si oligark… Është bindja e pakthyeshme se vetëm ndërlidhja biznes-politikë të jep mundësinë të përfitosh paqe me veten, siguri e garanci për të nesërmen, të gëzosh për së gjalli ndjesinë e pavdekësisë, të cilën nuk ta jep paraja.
Presidenti Trump është shembulli më frymëzonjës i kësaj amalgame.
***
Tek ne shembulli më i dukshëm e më “relevant” i kapërcimit të ylberit nëpërmjet parasë, dmth i tjetërsimit të biznesmenit në politikan, është ai i Behgjet Pacollit në Kosovë. Falë pasurisë, ky ish- truprojë fillimisht krijoi një parti, më pas u bë deputet, por edhe President Republike (me sa më kujtohet u shkarkua po aq lehtësisht, pas disa muajsh…) e, nëpërmjet allishverishit (që në gjuhën e sotme politike quhet koalicion), nuk u mjaftua me dështimin si President Republike, por tash kapi edhe postin e ministrit të Jashtëm dhe të zv.Kryeministrit të Kosovës, duke i dhënë për kapar dy a tre deputetë Haradinajt që të bëhet kryeministër. Nëse deri dje flitej, si në Shqipëri dhe në Kosovë për pazar bagëtish të gjalla, sot po lulëzon trafikimi i deputetëve, i partive, i posteve, i mandateve… Kjo na duket veprimtari “më se normale”. Dhe demokratike.
Përfundimi: meqë biznesi të bën politikan dhe politika të bën biznesmen të suksesshëm, atëherë përse të mos i kesh, gëzosh e përfitosh të dy këto mrekulli që e fshijnë përfundimisht hiçnajën?
Në këtë kontekst, Pacolli synon të hyjë në histori meqë deri dje ka pas qenë i suksesshëm në shitblerje… Falë makinacioneve (trafikimit të votës) ai do të ketë “fatin” të negociojë “demakarcionin” (që futi në krizë të gjatë Kosovën), të cilin Vetvendosja nuk e pranon, kurse Mali i Zi bashkë me Aleatët e quajnë punë të mbaruar e të firmosur, ndaj sipas tyre, nuk do të kthehet mbrapsht…
Po atëherë si do ta zgjidhë Pacolli si kryepolitikan e kryediplomat këtë nyje të kolokrepsur të Kosovës hallemadhe, që nuk po del dot nga krizat e brendshme? Falë aftësive të tij prej biznesmeni? Si do të realizojë, me gjasë, njohjen e mëtutejshme integrimin dhe pranimin e Kosovës në OKB e në UNESCO? Si do të liberalizojë vizat… Si do të pajtojë palët antagoniste që pjellin sistematikisht kriza të brendshme në Kosovë? Si… si …si?
E pra, a mjafton eksperienca fitimprurëse e biznesmenit Pacoll për të qenë edhe kryediplomat, edhe zv. kryeministër i suksesshëm? Kush do të dalë i fituar në fund të kësaj afere, Kosova, apo Pacolli?
Por, pyetjet e përgjigjet nuk kanë pikë rëndësie këtejpari. Mjaft që Pacolli u ngjit sërish në majë, u bë ministër i Jashtëm dhe zv.kryeministër! Kurse sa për faturën e dështimit e të falimentit, nj’ashtu si në biznes, e paguan gjithmonë ai që e ha sapunin për djathë, më fakirfukarai, ai që në politikë quhet popull. Mjerisht kështu ka qenë tejemot e kështu po ndodh aktualisht…/balkanweb.com/
Trendet Sot
KOMENTO