“Fiks Fare” ka pasqyruar vazhdimisht problematikën e therjes dhe tregtimit të mishit të bagëtive në rrugë. Edhe pse ligji e ndalon në mënyrë kategorike, ky fenomen vazhdon të jetë ende i pranishëm në vendin tonë.
Sot gjendja paraqitet e njëjtë, teksa produktet e mishit shiten lehtësisht në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare. Kontrolli veterinar mungon sërish nga inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
“Fiks Fare” iu është rikthyer vëzhgimeve në disa zona problematike.
Në Kurbin dhe Krujë, situata paraqitet njësoj si më parë. Bagëtitë theren në rrugë dhe jashtë kushteve higjieno-sanitare. Mishi tregtohet i pakontrolluar nga ana e veterinerëve, pa vula dhe as raportime mjekësore.
Askush nga autoritetet e AKU-së, higjienës apo pushtetit vendor nuk kryen kontrolle. Tregtarët tregtojnë mish në mes të rrugës dhe pluhurit.
Situata paraqitet e njëjtë edhe në Fushë Krujë. Në fshatin Arameras, kafshët theren dhe tregtohen në rrugën nacionale. Në qendër të Thumanës, një nga kasapët tha se asnjëherë në këtë fshat nuk kontrollohej mishi, e si rrjedhojë ai është shitur pa vulë. Ndërsa në Mamurras, bagëtitë theren në hyrje të qytetit, në një treg të improvizuar, ku nuk ka ujë as për të larë duart tregtarët, dhe as për mishin.
Por, prapa nuk mbeten as produktet shtazore. Tregtimi i tyre dhe nënprodukteve të qumështit është jashtë çdo kushti higjieno-sanitar. “Fiks Fare” ka vëzhguar 5 baxho në Lushnje. Në të gjitha mjediset vihet re papastërtia, si dhe mënyra e mbajtjes së produktit në kushte jashtë çdo parametri.
Në një video të publikuar gjatë emisionit tregohen qartë sesi prodhuesi e kapte djathin pa doreza dhe sesi insekte të shumta ndodheshin mbi të. Në Bubullimë, baxhot ngjajnë me tunele, ku mbizotëron lagështia. Mjedise të sajuara. Mbi fuçitë ku ruhet djathi vendosen copa polisteroli dhe mbetje të tjera.
Veç djathit, në të njëjtin vend tregtohet edhe mish. Në një baxho të fshatit Këmishtaj, mjedisi jashtë ishte i shkatërruar. Djathi ruhej në frigoriferë të vjetër dhe të ndryshkur, jashtë çdo standardi. Personi që tregtonte këtë produkt shtazor nuk përdorte doreza. Ai, në njërën anë konsumon duhan dhe në anën tjetër merret me tregtimin e djathit.
Në fshatin Guri i Gomares, brenda baxhos mizat shihen kudo. Pronarja pa doreza dhe asnjë mjet të nevojshëm për të ruajtur higjienën e produktit. Madje, pasi kruante veshët, kapte me dorë edhe djathin. Në vaskën me hirrë vihej re prania e mizave të shumta. Të njëjtën pamje të ofronte edhe baxhoja në fshatin Gërmenj, po në Lushnje. Mjedisi i papastër dhe prania e mizave vihej re kudo. Sipër fuçive të mbushura me djathë, për ta ngjeshur produktin kishin vendosur pllaka zdrukthi të vjetra, të kalbura. /b.d