ILVA TARE/ Cecil dhe Media
Për ata që u ka shpëtuar si lajm në median shqiptare dhe ndërkombëtare, Cecil është emri i një luani 13 vjeçar që u vra nga një dentist amerikan në fillim Korrikut në Zimbabve. Vrasja e pabesë për të cilën Ëalter Palmer kishte paguar 55 mijë dollarë, kur të ardhurat vjetore të një vendasi janë dy mijë dollarë në vit, shkaktoi zemërim dhe irritim të madh vecanërisht në SHBA. Cecil u projektua në Empire State Building në shenjë solidariteti dhe sensibilizimi kundër dhunës ndaj kafshëve, duke pasuar një mbulim mediatik intensiv që ka shkaktuar edhe polemika ndër ata që mendojnë se një vëmendje kaq e madhe e gazetarëve mund të ndihmonte Zimbabven të dilte nga varfëria dhe qeverisja e korruptuar e Robert Mughabes.
Cecil me siguri nuk ka qenë i vetëdijshëm për famën që gëzonte, edhe falë studimeve që kryente me të universiteti i Oxford. Madje, vendasit thonë se nuk e kishin dëgjuar më parë ekzistencën e luanit të famshëm. Cecil, i mësuar me turistët e huaj, thuhet se nuk ruhej më ndaj njerëzve dhe kjo ka qenë mënyra tinzare sesi dentisti amerikan e ka futur në kurth. Fillimisht duke i vendosur një kafshë të ngordhur pas një kamioni, duke e plagosur me shigjetë. Dhe vetëm pas 40 orëve kërkim kanë arritur ta vrasin luanin që mbante në qafë GPS-in e Universitetit të Oxfordit, edhe pse një gjë e tillë ishte e jashtëligjshme.
Lajmet për luanin e vrarë janë pritur me entuziazëm nga mbrojtës e mbështetës të kafshëve ashtu si dhe edhe me cinizëm si në Amerikë ashtu edhe në Zimbabve, duke shigjetuar median si fajtore. Një pjesë e kritikëve nga bërë paralelizëm për mungesën e sensibilizmit të këtyre përmasave kur vritet një njëri, apo qoftë edhe gazetari i zhdukur disa muaj më parë në vendin e varfër dhe të harruar nga vëmendja ndërkombëtare. Të dyja kategoritë ndoshta kanë deri diku të drejtë, por nuk e përjshatojnë njëra tjetrën. Nëse një pjesë e shoqërisë është ngritur në këmbë dhe kërkon ekstradimin e dentistit amerikan në Zimbabve për t’u gjykuar, nuk ka arsye pse media të mos e mbulojë këtë ngjarje. Por shqetësimi për daljen nga përmasat e një ngjarjeje të rëndomtë medatike është i pajustifikuar dhe aq më pak krahasimi përse nuk bëhet një fushatë e tillë ndaj viktimave njerëzore.
Thuhet se civilizmi i një kombi dallohet edhe tek mënyra sesi i trajton kafshët. Në SHBA macet dhe qentë trajtohen si pjesëtarë të familjeve dhe kanë të njëjtën, në mos më shumë përkujdesje me fëmijët. Në Shqipëri kam të afërm dhe miq që i përkushtohen kafshëve shtëpiake. Madje do bëja mire t’i quaja pjestarëve të familjes për të mos i mërzitur. Por këta janë pak, pjesa tjetër e shoqërisë është përcmuese dhe agresive ndaj kafshëve, sidomos atyre të rrugës që lihen në mëshirë të fatit. Mezipres ditën kur vrasja e një kafshe do të kthehet në lajmin kryesor të ditës edhe në vendin tonë, pasi atëherë do të bindem se edhe shqiptarët kanë filluar të civilizohen. Si fillim, duhet të presim mbajtjen e premtimit nga Kryetari i Bashkisë Veliaj, për një kopësht dinjitoz zoologjik në Tiranë. Më pas duhet të shohim sesi përmes disiplinës dhe respektit fitohet dinjiteti, sidomos në trajtimin e kafshëve.