Ndryshimet në skenën politike të Gjermanisë kanë dhënë mesazhet e tyre të para negative në Greqi, hallka më e dobët ekonomike e Eurozonës.
Bursa greke, edhe të martën ka pësuar goditje dhe vala e shitjeve të aksioneve ka çuar në humbje që përllogariten në 48 orët e fundit në vlerën e 2.23 miliardë eurove.
Kjo, edhe për shkak se guvernatori i BQE-së, Mario Draghi ka lënë të hapur mundësinë e një “stress test”-i të afërm ndaj bankave greke, i cili ishte parashikuar në tetorin e vitit 2018, e si rezultat goditjen më të madhe e kanë marrë vlerat e aksioneve të bankave greke.
Nga ana tjetër, krijimi i mundshëm i një koalcioni qeveritar në Gjermani, me pjesëmarrjen e liberalëve gjermanë, të ashpër në politikat e tyre fiskale, shihet me shqetësim nga Athina zyrtare, pasi kjo parti është shprehur hapur në të kaluarën pro daljes së Greqisë nga Eurozona.
Qarqe politike në Athinë vlerësojnë se, edhe konservatorët e Merkelit, bashkë me partinë simotër në Bavari, do të jenë tashmë shumë të ashpër ndaj Greqisë në dy çështje: në zbatimin e reformave më të ashpra, nëse duhet të vazhdojë ndihma financiare, si dhe në çështjen e refugjatëve, duke kërkuar mbylljen e kufijve dhe duke mos lejuar më asnjë refugjat të mbërrijë në Gjermani.
Kjo pasi edhe presioni nga partia ekstremiste “Alternativa për Gjermaninë” tashmë do të jetë i drejtpërdrejtë në Parlament, pas hyrjes së saj të bujshme si forcë e tretë politike.
Burime pranë qeverisë greke shprehen se, ky ndryshim politik në Gjermani lë mënjanë për një kohë të pacaktuar shpresën që kishte pala greke, se pas zgjedhjeve, nëse ato shkonin siç dëshironte Athina, Berlini mund të jepte një sinjal pozitiv në çështjen e reduktimit të borxhit grek.